
Kryeqyteti u zgjua sot me lajmin e papritur, ku raportohej se Prokuroria e Tiranës kishte çuar për gjykim çështjen e klubit të futbollit “Tirana”. Sipas organit të akuzës, bardheblutë dhe administratori Refik Halili do të përballen në gjykatë me akuzën e “fshehjes së të ardhurave”.
Prokuroria e Tiranës pretendon se subjekti në fjalë bashkë me administratorin, nuk kanë deklaruar në tatime pagat e 29 lojtarëve duke mos shlyer në këtë mënyrë detyrimet ndaj shtetit.
Bëhet fjalë për sezonet 2014-2016, ku organi i akuzës përmes njoftimit ka treguar se ka evidentuar provat e mjaftueshme për t’u përballur në gjyq me Halilin si administrator dhe klubin e Tiranës si subjekt tregtar. Një njoftim i çuditshëm që lë vend për shumë dyshime për faktin e vetëm, vonesa në kohë e Prokurorisë për të ndjekur një çështje, ku dëmi pretendohet të jetë plot 500 milionë lekë (të vjetra).
Natyrisht ka shumë pyetje që mund të shtrohen për organin e akuzës, kur kjo vjen në një moment kur situata sportive nuk është më e mira për bardheblutë.
Si është e mundur që pas 10 vitesh kujtohen të hetojnë një dosje dhe ta çojnë në gjyq në një moment kur stadiumi “Selman Stërmasi” është shndërruar në arenë koncertesh? Pse duhet të kishte një vonesë të madhe në hetime apo qoftë edhe nisjen e tyre kryesisht, kur buxhetit të shtetit i qenka bërë një dëm kaq i madh financiar?Me siguri që përgjigjen e vërtetë e kanë vetëm ata.
Sportdashësit, ata që shkojnë në stadium për ADN-në e kësaj skuadre, nuk mund të kapërcejnë përtej 90 minutëshit të fushës së lojës.
Sot, janë dëshmitarë se si stadiumi “Selman Stërmasi”, në pronësi të familjes së madhe bardheblu, është kthyer në një fushë që nuk mund të shkelë, edhe për qef ndonjë futbollist, sepse padashur mund të dëmtohet.
Presidenti Refik Halili ka pasur shumë herë në plan të rigjenerojë tapetin, por kjo nuk ka ndodhur për arsyet që mund të jenë të gdhendura në prapaskenë. Fakt është që kreu i klubit bardheblu, me të marrë drejtimin e këtij ekipi me shumë histori në vend, e shndërroi “Selman Stërmasin” në një stadium të vërtetë nga një gërmadhë që ishte.
Shpesh në media është aluduar se koncesionarë të ndryshëm kanë ofertuar për të rindërtuar një stadium modern, por me modelin e “Air Albania”, me hapësira komerciale. E në këtë mënyrë vetëm katërkëndëshi i fushës do t’i mbeste klubit më të titulluar në Shqipëri.
A e meriton Tirana këtë trajtim? Padyshim që të gjithë kanë një përgjigje, veçanërisht dashamirësit, për sportin, aty ku unifikohet i madh, i vogël për qëllimin e vetëm: Argëtimin.
Një ditë të nxehtë vere, Prokuroria e Tiranës kujtohet të çojë pas 10 vitesh në gjyq klubin e futbollit të kryeqytetit për fshehje të të ardhurave. Vërtetë mund të ketë kaq shumë interes për të dëmtuar Tiranën apo lepuri “fle” diku tjetër?!