Ndeshja miqësore e Partizanit me Laçin, e përfunduar në shifrat 3-0 në favor të “Të Kuqve”, mund të ketë qenë një “bekim” për Fabio Hysenin i cili mori minuta të rëndësishme në këtë test përgatitor, duke debutuar me fanellën e kuqe.
Sulmuesi 15-vjeçar mori besimin e Oltijon Kërnajës për të provuar aftësitë ndaj skuadrës së Kategorisë së Parë, duke shfaqur të gjithë potencialin e tij në fushën e lojës, shenja të cilat mund të ndikojnë që trajneri i “Demave” ta konsiderojë edhe në ndeshjet e mbetura në Abissnet Superiore.
Në këmbët e Hysenit janë gjithsej 15 gola në 25 ndeshje që vlonjati ka luajtur këtë sezon. Një “goditje” kjo e skuadrës kryeqytetase që e mori nga rivalët e Superiores, Flamurtari verën e kaluar.
