
I papritur ishte largimi i Erjon Hoxhallarit nga Tirana. Revolucioni bardheblu ka nisur nga kapiteni i ekipit, me palët që kanë ndarë kështu rrugët mes tyre.
E ardhmja e mbrojtësit pritet të jetë sërish në Superiore, ku ofertat për të nuk mungojnë. Në fakt janë 4 ekipe që pëlqejnë “mëngjarashin”. Sipas shtypit të shkruar bëhet me dije se Partizani, Dinamo, Elbasani dhe Vllaznia do të luftojnë mes tyre për shërbimet e tij.
Në “pole-position” duken shkodranët. Kjo fale edhe ndërhyrjes së Tefik Osmanit, i cili ka një njohje të vjetër me ish-kapitenin e bardhebluve, pasi kanë punuar së bashku te Tirana. Osmani e ka kontaktuar dhe Hoxhallari ende nuk ka dhënë fjalën e tij dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë.
Kujtojmë se për të interesime ka edhe nga ekipe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në këtë sezon me Tiranën ka luajtur në 41 ndeshje, ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë edhe 3 asiste. Me bardheblutë këtë sezon nuk ia doli të fitonte asnjë trofe, por është shpallur dy herë kampion me ta dhe ka fituar edhe një Kupë Shqipërie.