
Kategoria Superiore rikthehet nesër pas ndeshjeve të Kombëtareve. Tirana do të presë në “Arenën Kombëtare” Bylisin në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të të kampionatit. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme, trajneri i bardhebluve Bledi Shkëmbi doli në konferencë për shtyp për mediat.
“Në fakt, kishim nevojë për pjesën fizike, për të rikuperuar, e gjithë skuadra. Disa lojtarë të veçantë, që vinin nga dëmtime dhe mendoj se na bëri mirë.
Do mundohemi të bëjmë paraqitje të mirë, duhet të bëjmë shumë mirë. Luajmë me një kundërshtar që është rivali ynë direkt. Do jetë e vështirë, është ndeshje e rëndësishme si ka ardhur kampionati.
Jemi në moment delikat ku nuk ka shumë javë dhe nuk mund të rikuperosh, nëse gabon me rivalë direkt. Kemi punuar mirë gjithë këto ditë, shpresoj nesër të bëjmë paraqitje të mirë dhe jam i bindur që do e bëjmë.
Ndoshta gjëja më e mirë që na ndodhi është kthimi i luajtjes së ndeshjes në Tiranë, në “Arenën Kombëtare”. Është plus për të pasur besim, që do bëmë ndeshje shumë të mirë. Kemi luajtur shumë ndeshje brenda në thonjza, por asnjë në Tiranë. Kemi marrë rrugët për të shkuar në stadiumet ku kemi luajtur deri tani. Nuk e kemi pasur justifikim këtë pjesë, fusha e futbollit kudo njësoj. Pavarësisht se nesër mendoj do kemi më shumë tifozë. Shpresoj të na mbështesin në këtë moment të vështirë dhe në fund të gjithë të bëjmë analizat.
Nuk kam bërë llogari. Janë vetëm ato të ndeshjes, si vihet në ndeshjen e radhës. Kemi pasur probleme fizike, të dëmtuarish, nesër kundërshtari ynë direkt dhe duhet maksimumi për 3 pikët. Kjo është analiza që kam bërë. Nëse do bëjmë mirë, të paktën nesër kemi hedhur një hap të mirë për objektivin që kemi në situatën ku jemi”, u shpreh Shkëmbi.