
Vllaznia tashmë do të nderojë 4 prej emrave më të mëdhenj të klubit të tyre. Bëhet fjalë për Ramazan Rragamin, Medin Zhegën dhe Sabah Bizin që sot nuk jetojnë më, dhe për Paulin Ndojën.
Katër tribuna të stadiumit “Loro Boriçi” do të kenë emrat e ish-lojtarëve të mësipërm. Këtë e ka konfirmuar vetë klubi shkodran në faqen e tyre zyrtare.
“Sot Klubi i Futbollit Vllaznia i është drejtuar me një shkresë zyrtare Këshillit Bashkiak Shkodër me një kërkesë për emërtimin e katër tribunave të stadiumit "Loro Boriçi" me emrat e katër figurave të mëdha të futbollit shkodran e shqiptar e konkretisht Ramazan Rragamit, Paulin Ndojës, Medin Zhegës dhe Sabah Bizit.
Një kërkesë kjo si vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë prej tyre për klubin tonë dhe futbollin shqiptar në tërësi.”, shkruan KF Vllaznia.