Dinamo dhe Tirana do të përballen me njëra-tjetrën në sfidën e vlefshme të javës së 32-të të Abissnet Superiore. Një derbi në kryeqytet mbetet një derbi, pavarësisht pozitave në renditje që mbajnë aktualisht këto dy skuadra, të cilat luftojnë për objektiva krejtësisht të ndryshëm.
Të besuarit e Ilir Dajës vijnë nga një barazim në Ballsh me Bylisin dhe do të bëjnë çmos që të shfrytëzojnë hapin fals të Partizanit për të “kyçur” njëherë e mirë vendin e katërt që të çon drejt Final Four, ndërsa bardheblutë e Orges Shehit kanë marrë zemër nga fitorja e fundit me Egnatian në “Selman Stermasi” dhe janë maksimalisht të motivuar për të vazhduar këtë ecuri dhe mbajtur gjallë shpresat për mbijetesën.
Në një derbi gjithmonë luhet për fitore, pasi krahas pikëve që do të luhen në fushë, vlen po e njëjta gjë për prestigjin dhe moralin. Të dy trajnerët dinë si të fitohet një derbi, pasi prej vitesh janë “rafinuar” me eksperienca të mëparshme, ndaj dhe ata janë përgatitur me mënyrat e tyre për të zbritur në fushë për pikët jetike.
Në ndeshjet e fundit në kampionat, fati i ka buzëqeshur Dinamos që ka fituar 2 nga 3 përballjet e fazave të para, ndërsa 1 ka përfunduar në barazim, ndaj dhe me Shehin në krye mund të vijë dhe shija e fitores së parë sezonale.
Sa i takon përplasjeve “kokë më kokë” mes tyre, Daja mban lart “stekën” e avantazhit, ndërsa dhe trajneri durrsak nuk mbetet pas. Në 30 ndeshje të luajtura përballë Tiranës, tekniku i Dinamos numëron një bilanc prej 13 fitoresh, 7 barazimesh dhe 10 humbjesh, ndërsa Shehi në 10 përballje ka 6 fitore dhe 4 humbje.
Nëse flasim për duelet ndërmjet dy pankinave, Shehi është dukshëm më superior pasi në 11 ndeshje përballë “profesorit” numëron 5 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje, kundrejt 4 fitoreve, 2 barazimeve dhe 5 humbjeve në llogari të Dajës.
Padyshim, këto statistika mbeten thjesht një bilanc matematikor, pasi në fushë, si Dinamo ashtu edhe Tirana do të matin mirë hapat në marshin final të mbetur të fazës së katërt, pasi teoria qëndron gjithmonë një faktor në letër, por fusha tregon një tjetër histori dhe atë do ta mësojmë pikërisht në orën 19:00, kur dy skuadrat kryeqytetase të dhurojnë spektaklin e një derbi në stadiumin “Air Albania”.
