Askush s’mund ta kishte menduar se mbijetesa do të kishte një rivalitet kaq të fortë për një vend që të siguron qëndrimin edhe për sezonin e ardhshëm në Abissnet Superiore. Ky është rezultati i javës së 32-të që sjell përballje të rëndësishme për skuadrat që janë në kërkim të pikëve të shpëtimit, ku dy prej tyre do të luajnë ditën e sotme dhe tjetra do të mbyll javën të dielën.
E para është Vora që do të presë në shtëpi Vllazninë kryesuese të kampionatit. Djemtë e Bellait janë besimplotë tek një rezultat pozitiv, pasi në javët e fundit ia kanë dalë të marrin plot 4 pikë, çfarë tregon për një revansh kyç të vorakëve në këtë fazë vendimtare.
E radhës është Tirana, e cila luan një derbi përballë Dinamos në “Air Albania”. Bardheblutë fituan bindshëm përballë Egnatias në shtëpi me rezultatin 3-1, dhe do tentojnë t’i japin goditjen e radhës një tjetër kundërshtari të Final Four për t’i penguar drejt këtij objektivi. Të besuarit e Orges Shehit janë duke kronometruar pikët e fundit që do t’i sillnin shpëtimin nga një rënie hipotetike, por skuadra duhet të shpresojë fillimisht për një gabim të rivalit të drejtëpërdrejtë.
Të dielën dita është e rezervuar për Bylisin shkon në stadiumin “Arena e Demave” për ndeshjen me Partizanin. Ballshiotët e udhëhequr nga trajneri Mirel Josa nuk kanë mbetur të kënaqur me pikën e fundit të marrë përballë Dinamos, ndërsa gara sa vjen dhe ngushtohet për vendin e 7-të dhe të 8-të (për play-out). Ndaj “Të Kuqve” do tentohet mrekullia, e në rastin më të mirë që sfidat e sotme nuk prodhojnë një rezultat të frytshëm për rivalët ngjitur në tabelë, ata do të vinin më të motivuar për të provuar shanset e tyre.
