Humbja e Partizanit në “Arena e Demave” përballë Flamurtarit me rezultatin 1-4, duket se ka lënë të zhgënjyer dhe ish mesfushorin e të dyja skuadrave, Bruno Telushin. I ftuar në panelin e emisionit “Rubrika Sportive”, ai dha qëndrimin e tij lidhur me sfidën.
“Nuk e di, s’e di. Ishte një ndeshje që prita të luftohej, por nuk di si ta komentoj. Ishte ndeshje e qetë, ndeshje shumë… pa emocion fare. Nuk e kam shijuar fare. Ndikon edhe kjo, edhe largimi i trajnerit.
Po ashtu, unë mendoj si trajneri që nuk po më duket dhoma e zhveshjes te Partizani aq e shëndoshë se pashë edhe në këto portalet që nga ikja e Kërnajës pashë dhe futbollistë që bënin komente për largimin e tij dhe kjo tregon që aty s’është ambienti i mirë.
Sa për Flamurtarin, unë besoj se ka shanse të mira për të mbijetuar. Tani e kanë vetë në dorë, ndeshjen me Teutën duhet ta kenë ndeshje finale ”, tha Bruno Telushi.
