Dinamo e Ilir Dajës në këtë sezon konsiderohet një nga ekipet pretendente për të fituar titullin kampion. Dinamovitët pas 12 javësh kampionat e shikojnë veten në vendin e 4-të në tabelën e klasifikimit me 19 pikë.
prej 3 javësh nuk po kalojnë një moment të mirë në kampionat, teksa kanë marrë 2 barazime dhe 1 humbje. Por pavarësisht kësaj duket se mbrojtja është një nga repartet më të “forta” të kësaj skuadre. Vetëm 6 gola kanë pësuar deri më tani, duke qenë një nga mbrojtjet më të mira të kampionatit.
Asnjë skuadër nuk ka mundur t’u shënojë më shumë se 1 gol dinamovitëve, me Dajën që siç duket ka vendosur të “kyçë” portën e skuadrës. Një detaj ky që tregon se të gjithë rivalët vuajnë përballë mbrojtësve të Dinamos, të cilët siç duket janë kthyer në një “mur” para portës.
Vlen të theksohet se të 3 humbjet që skuadra ka marrë në këtë sezon i ka me rezultat 1-0. Është mposhtur nga Elbasani, Teuta dhe Vllaznia.
Ndërkohë vlen të theksohet se dueli i radhës do të jetë në transfertë ndaj Bylisit, përballje kjo që do të luhet ditën e nesërme në orën 13:30 në “Adush Muça” dhe është i vlefshëm për javën e 13-të të kampionatit.
