Kampioni në fuqi i Champions League me Paris Saint-Germain, Kvicha Kvaratskelia, ka provuar dhe aftësitë e tij të vlerësimit, krahas asaj çfarë po jep në fushën e lojës.
Sulmuesi gjeorgjian është ulur përballë laptopit, teksa ka dhënë mendimet e tij mbi videot që i janë përzgjedhur dhe në to shfaqen emra të mëdhenj të futbollit si Marcelo, Cherki dhe Ronaldinho.
Një vëmendje të veçantë ka marrë dhe goli i mbrojtësit të krahut të Egnatias, Guillem Jaime, i cili shënoi falë një skeme të përgatitur bashkë me Albanoi Aleksin në barazimin 2-2, në duelin e javës së 10-të në Abissnet Superiore.
Ylli i PSG-së ka mbetur i magjepsur nga kjo mënyrë ekzekutimi të goditjes së dënimit, e cila më herët është postuar dhe në media e njohur ndërkombëtarisht sportive, 433, që ka "ftuar" dhe 25-vjeçarin të japë notat për secilin gol të shënuar, qofshin këto në stërvitje apo dhe ndeshje zyrtare.
"Le të shohim këtë goditje dënimi. Është e vështirë të shënosh kështu. Mendoj se është në Shqipëri, ndaj do t'i japë notën 10-të", është shprehur Kvaratskelia për golin e shënuar në Shqipëri.
Egnatia së fundmi u mposht nga Tirana 1-3 në "Selman Stërmasi", duke ndërlikuar seriozisht vendin e dytë, pasi Elbasani pret Partizanin sonte në mbrëmje dhe mund t'i kapërcejë rrogozhinasit në renditjen finale të javës së 31-të.
View this post on Instagram
