Abissnet Superiore mbylli javën e 30-të, ku spikatën përplasjet direkte mes skuadrave të “Final Four” dhe ato të mbijetesës, ku u prodhuan një sërë rezultat surprizë. Newsport ka përzgjedhur më të mirët duke u nisur që prej portës e deri tek dyshja e sulmit. Me një 11-she 1-4-4-2, janë caktuar emrat të cilët kanë ndikuar në një mënyrë ose tjetrën në fushë duke ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave.
Krahas tyre, ju njohim edhe me trajnerin fitues.
Romeo Harizaj (Vora) – I mohon Teutës dy gola gati të sigurt duke mbrojtur portën e vendasve. Pati rol kyç në fitoren e skuadrës e cila mori tri pikë falë penalltisë së Kasallës në pjesën e parë. Gjërat mund të ishin ndryshe në fushë, nëse nuk do të ishte për pritjet e tij.
Faton Neziri (Dinamo) – Fitorja e Dinamos ndaj Elbasanit është dhe meritë e tij. Ndihmon të tijët duke frenuar kundërsulmet dhe kthehet në “mur” në linjën e mbrojtjes.
Eljon Sota (Egnatia) – Meritë në fitoren 3-0 të skuadrës përballë ballshiotëve në Rrogozhinë ka dhe mbrojtësi qendror i cili neutralizon kundërshtarët dhe ndihmon portierin të mbajë portën e paprekur.
Elmando Gjini (Vllaznia) – Vllaznia mund të nderohet edhe në mbrojtje pasi pa Elmando Gjinin nuk do ia dilnin t’i festonin golat e Kevin Dodajt përballë Partizanit. Absolut me vendimet e marra në këtë linjë si dhe në asistin dhuruar për golin e parë të sfidës.
Luciano Vera (Tirana) – Ndihmon bardheblutë duke frenuar aksionet e vlonjatëve. Meritë në pikën e marrë në Vlorë.
Kevin Dodaj (Vllaznia) – Dy golat e tij përballë Partizanit në “Arena e Demave” katapultuan Vllazninë në krye të klasifikimit duke udhëhequr me tre pikë më shumë se Elbasani i vendit të dytë.
Irgi Kasalla (Vora) – Protagonist me golin e vetëm të shënuar nga pika e bardhë përballë Teutës. Pas rishikimit me VAR, nga ndërhyrja në zonë vjen dhe korrigjimi i vendimit nga kryesorja Rusta. Kasalla nuk gabon dhe i jep Vorës një sukses që e ngjit në kuota të barabarta pikësh me Bylisin e vendit të 7-të.
Sherif Kallaku (Vllaznia) – Asiston te goli i dytë i Dodaj përballë Partizanit, i cili ishte dhe i fundit i takimit.
Dejvi Bregu (Dinamo) – Shënon dy herë në portën e elbasanasve në fitoren e thellë në kryeqytet. Vrastar para portës dhe Ilir Daja mund të “çlirohet” pas momenteve të vështira që ka kaluar në javët e fundit, e kjo falë shpërthimit të sulmuesit të krahut.
Erald Maksuti (Flamurtari) – Shënoi golin e barazimit në sfidën mes Flamurtarit dhe Tiranës në Vlorë. Sulmuesi dhe kapiteni i vlonjatëve tregohet i saktë duke mposhtur portierin Bekaj, për t’i dhënë një pikë të çmuar në garën për mbijetesë.
Daniel Adjesa (Egnatia) – Tripletë në fitoren e pastër 3-0 përballë Bylisit duke i dhënë një goditje të fortë kundërshtarit për misionin “mbijetesë”. Falë edhe disfatës që pësoi Elbasani në kryeqytet, Egnatia i falenderohet Adjesa për vendin e dytë.
Ilir Daja (Dinamo) – Suksesi në “Air Albania” në shifrat 4-1 ndaj Elbasanit mund të quhet dhe një “relaksim” për teknikun e dinamovitëve i cili rikthehet te fitorja dhe sheh me optimizëm drejt vendit të katërt, pas ndalesës së Partizanit me Vllazninë.
