Kush gabon, merr pasojat. Me këtë frymë do të nisë dhe ndeshja e sotme mes Flamurtarit dhe Tiranës, skuadra të cilat përballen në javën e 30-të të Abissnet Superiore, këtë mbrëmje në orën 19:00.
Të gjendura në zonët e ftohtë dhe me diferenca pikësh lehtësisht të kapërdishme, vlonjatët do të presin në stadiumin “Flamurtari” bardheblutë që vijnë nga një seri prej dy fitoresh radhazi.
Një “finale e parakohshme” e cila rrit presionin në të dyja kampet, edhe pse kryeqytetasit vijnë më të avantazhuar për shkak të formës që kanë treguar në javët e fundit dhe për faktin se tek skuadra e Orges Shehit priten dy rikthime të rëndësishme në sulm, ato të Redon Xhixhës dhe Tabekou.
Sfida në Vlorë do t’i hapë rrugë dhe dueleve të tjera të kampionatit, të cilat janë shpërndarë të shtunën dhe të dielën.




