Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Sports.kz”, David Atanaskoski ka folur për momentet që po kalon te Partizani. Gjithashtu, mbrojtësi i krahut të majtë ka bërë edhe “analistin”, duke u ndalur te Dinamo, në Kupat e Evropës.
Kujtojmë se burime për mediet, kanë raportuar më herët se anësori i majtë do të firmosë kontratën e re me Partizanin, ç’ka do ta mbajë të lidhur deri në vitin 2028. Ndërsa në intervistën e dhënë, Atanaskoski është ndalur te një rikthim i mundshëm në Kazakistan.
David, si po kaloni te Partizani?
Përshëndetje. Te Partizani kushtet janë shumë të mira. Po presim me padurim të përgatitemi sa më mirë dhe të paraqitemi denjësisht në kampionat.
A e ndiqni kampionatin e Kazakistanit? Si e vlerësoni nivelin e tij aktual?
Po, e ndjek kampionatin e Kazakistanit, sepse kam luajtur në atë vend dhe kam shumë miq të mirë atje. Mendoj se niveli i kampionatit është i mirë dhe po përmirësohet nga viti në vit.
Në raundin e parë kualifikues të Conference League, Astana do të përballet me Dinamo City. Çfarë mund të na thoni për këtë skuadër shqiptare?
Po, është e vërtetë që Astana do të luajë kundër Dinamos. Është një ekip shumë i mirë dhe i organizuar në mënyrë të shkëlqyer.
Çfarë futbolli luan ajo?
Dinamo City luan një futboll shumë të mirë sulmues.
Kush ju duket favorit në këtë çift, Astana apo Dinamo?
Mendoj se do të jetë një përballje shumë e bukur dhe interesante në dy ndeshje. Janë dy skuadra cilësore dhe u uroj suksese në të dyja takimet. Shpresoj shumë që të shohim dy ndeshje plot emocione dhe ngjarje, të cilat do t’i mbajnë tifozët në ankth deri në fund.
A keni pasur oferta nga klube kazake pas largimit tuaj?
Aktualisht nuk kam oferta nga klubet e Kazakistanit dhe po rinovoj kontratën time me Partizanin edhe për dy vite të tjera.
Po vetë, a do të dëshironit të riktheheshit në kampionatin e Kazakistanit?
Këtë e di vetëm Zoti. Tani jam i përqendruar te Partizani, më pëlqen gjithçka këtu dhe e respektoj shumë këtë klub. Nuk po mendoj për opsione të tjera. Së pari, të kemi shëndet, ndërsa çfarë do të sjellë koha, do ta shohim në të ardhmen.
