Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dalë ditën e sotme para gazetarëve, për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje. Duka ka folur drejtpërdrejt nga ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” edhe për ecurinë e klubeve të Superiores në kompeticion evropiane, duke cekur benefitet që do të kishin, nëse do të merrnin pjesë të paktën në grupet e UEFA Conference League.
Çfarë do të thotë për ju pjesa e klubeve në Europë, formula e re me 3 kompeticione, vendet e vetme që nuk marrin pjesë janë Andorra, San Marino, Mali i Zi, Gjeorgjia dhe Shqipëria?
“Në edicionin e fundit në Kupat e Evropës ka pasur ndryshim pozitiv, pak më mirë se 1 vit më parë. I kemi menduar të gjitha se si mund të bëjmë ndryshime që edhe klubet shqiptare të marrin pjesë. Për nivelin e futbollit që kemi, e meritojmë që të jemi të paktën në grupet e Conference League. Klubet, duke qenë se kanë probleme financiare, janë të detyruar që ta lejojnë të transferohet në kampionate të tjera. E kami parë që një talent, sapo rritet, largohet.
Njerëzit njohin disa futbollistë që luajnë në disa ekipe të larta apo në Kombëtare, por kemi shumë emra që luajnë në Turqi, Ukrainë, Rusi, Rumani. Nëse do të kishte financa më të mira, do të kontribuonin për klubet tona dhe do të kishim rezultate të mira në Evropë. Përveç imazhit pozitiv, do të rregullonte edhe financat pjesëmarrja në Conference League. Kur vendosëm që të hapet dhe të luajnë futbollistë të huaj, me idenë që do të kishim rezultate pozitive. Vitin e kaluar ishte më mirë, mendoj që të jetë më mirë në kampionat dhe të paktën të kemi skuadër në Conference League”, tha Duka.
