Ditën e sotme në ambientet e Kryeminstrisë po zhvillohet ceremonia e Mirënjohjes për medalistët e Lojërave Olimpike “Paris 2024”. Në këtë ceremoni ka mbajtur fjalën e tij dhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli. Ky i fundit ka thënë se përveç infrastrukturës së mirë, Shqipëria duhet të pëmirësojë dhe ligjin e sportit.
“Unë nuk mund të pranoj që sot në 2024, të bëjmë gabimet e viteve më parë, që yjet e sportit të garojnë për vendet e tjera. Sot jemi më të sigurt pasi kemi ligjet më të mira, shpërblimet më të mira, infrastrukturë më të mirë, por a mjaftojnë këto?
Jo. Duhet ligji i sportit, mjafton të shohim vendet fqinje që kanë ligje më të mira. Ligji i sportit, investimi nga ana e qeverisë do të kthehet më pas. Ndaj insistojë që këto buxhete duhen tani, jo më vonë pasi koha ikën.
Ne nuk po qëndrojmë në pritje, por kemi nisur punën që tani, po përgatitemi që në 2028, në Los Anxhelos, në Lojërat Olimpike të ardhshme, Shqipëria të vishet me ar. Këto dy medalje olimpike janë arritur me mund dhe djersë, janë shumë të rëndësishme për sportin shqiptar, pasi këto medalje janë kthyer në frymëzim për të ardhmen”, ishin fjalët e Fidel Yllit.