Vllaznia e femrave u përball me një sërë masash ndëshkuese të ashpra nga Komisioni i Etikës, në vendimet e njoftuara ditën e sotme.
Fillimisht, ishte pezullimi i presidentit Lazer Matija, të cilit iu "faturua" pezullimi prej 10 ndeshjesh nga aktivitetet e organizuara nga federata si dhe ndalimin e tij në të gjitha stadiumet. Përpos tij, edhe 7 lojtare të kësaj skuadre kanë marrë masa ndëshkuese duke u përballur me një pezullim prej 5 ndeshjes për secilën prej tyre.
Të tilla vendime nuk janë pritur aspak mirë nga vetë klubi, i cili në një postim të bërë në rrjete sociale, publikon çaste të cilat kanë ndikuar në rrjedhën e lojës dhe se ndihen të vjedhur nga mënyra se si është trajtuar takimi.
Klubi shtron më tej se janë thellësisht të indinjuar nga e gjithë "lëmshi" i krijuar dhe ironizon me faktin se sukseset e kësaj skuadre "po turbullojnë" ujërat për ata që nuk e pranojnë këtë realitet.
REAGIMI:
"Komisioni i Disiplinës, në mbledhjen e zhvilluar sot, më 8 maj 2026, ka marrë një vendim të paprecedentë dhe të paimagjinueshëm për futbollin shqiptar.
Janë dënuar 7 vajza të moshës 13-17 vjeç, si dhe presidenti i ekipit të tyre, të cilët reaguan të indinjuar ndaj një maskarade nga treshja e arbitrave, të ardhur me një qëllim të vetëm: të pengonin shpalljen kampione të ekipit të KFF Vllaznia U-17.
Komisioni ka marrë për bazë vetëm raportin e arbitres dhe delegatit, duke krijuar një situatë të qëllimshme dhe tendencioze. Qëllimi ka qenë justifikimi i gabimeve të arbitres, ndërsa delegati, në sinkron të plotë me të, ka penalizuar presidentin për të dëmtuar edhe ekipin e parë të Vllaznisë, i cili ka ndeshje me Gramshin ditën e nesërme. Çuditërisht, delegati rezulton të jetë nga Gramshi.
KFF Vllaznia është një model jo vetëm në futbollin shqiptar, por edhe në atë europian, duke e çuar futbollin shqiptar në nivele të paarritura më parë, deri në fazën e grupeve të UEFA Women’s Champions League.
KFF Vllaznia është thellësisht i indinjuar nga këto veprime të padrejta ndaj një klubi që prej vitesh mban mbi supe emrin dhe krenarinë e futbollit shqiptar. Sukseset e Vllaznisë duket se për disa përbëjnë dështim dhe kjo ka turbulluar ujërat për ata që nuk arrijnë të pranojnë realitetin.
Falë rezultateve të arritura nga KFF Vllaznia, Shqipëria, ndryshe nga shumë vende të Ballkanit dhe Europës Qendrore, ka siguruar këtë vit pjesëmarrjen e dy ekipeve në UEFA Women’s Champions League. Por suksesi i Vllaznisë duket se ka nxitur tentativa të vazhdueshme për të vepruar padrejtësisht ndaj klubit tonë.
Ka vite që ekipi ynë sulmohet në çdo formë për t’iu rrëmbyer titulli kampion, sepse KFF Vllaznia është skuadra që është shpallur 12 vite kampione radhazi, ndërsa KFF Vllaznia U-17 është shpallur kampione për 5 vite me radhë.
Ia arritën që ekipit KFF Vllaznia U-17 t’ia vidhnin titullin. Të njëjtën gjë do të tentojnë ta bëjnë edhe me ekipin e parë. Por ne i deklarojmë opinionit publik se do të vazhdojmë rrugën tonë, me krenari dhe vendosmëri"

