Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

FEMRAT

EKSKLUZIVE/ Vllaznia e vajzave “Hirushja” e Europës, presidenti Lazer Matija: Kemi bërë maksimumin, FSHF po na mbështet

Shkruar nga Nikoll Rajta
EKSKLUZIVE/ Vllaznia e vajzave “Hirushja” e Europës, presidenti
Lazer Matija

Vllaznia e vajzave fitoi 2-0 ndaj FC Kolos Kovalivka, në ndeshjen e vlefshme për raundin e parë kualifikues të UEFA Women’s Europa Cup. Shkodranet dominuan takimin dhe hodhën një hap të sigurt drejt kualifikimit në raundin tjetër.

Një moment mjaft pozitiv dhe krenarie për vajzat nga Shkodra, gjë të cilën e pranon edhe vetë presidenti i klubit, Lazer Matija. Në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, kreu i klubit të Vllaznisë së vajzave, tregon rëndësinë e fitores në ndeshjen e parë.

Ndër të tjera, presidenti Matija ndalet edhe tek investimet dhe aventura europiane. Gjithashtu, numri një i klubit shkodran thotë se kanë bërë maksiumin për të investuar në këtë sport, ndërsa përsa i përket infrastrukturës Matija thekson se vetëm FSHF është mbështetës serioz.

Fitorja ndaj FC Kolos Kovalivka ishte një hap i rëndësishëm drejt kualifikimit. Si e vlerësoni këtë sukses dhe paraqitjen e vajzave në këtë ndeshje?

Ndeshja e parë ishte shumë e rëndësishme për të dy ekipet sepse nga ajo ndeshje do të shikoheshin edhe synimet dhe niveli i secilit ekip. Fitorja ishte bindëse si me lojë ashtu edhe në rezultat. Patjetër që është një hap i sigurtë për t’u kualifikuar por çdo gjë mbetet e hapur për ndeshjen tjetër sepse në futboll kemi shumë raste kur rezultatet e tilla, por nëse nuk di t’i menaxhosh mirë, mund të sjellin edhe përmbysje. Performanca e vajzave mendoj se ishte pozitive dhe ekipi po rritet nga ana taktike sepse afrimi i shumë lojtarëve në merkato ka bërë që ekipi të pësojë shumë ndryshime në formacion dhe është dashur më shumë kohë që të konsolidohet. Ekipi bëri një pjesë të parë model nga të gjitha aspektet, kurse pjesa e dytë ishte e barabartë sepse edhe ekipi kundërshtar nuk kishte se çfarë të priste dhe doli më shumë në sulm.

Çfarë domethënie ka për klubin pjesëmarrja dhe rezultatet në UEFA Women’s Europa Cup, dhe si ndikon kjo në imazhin e Vllaznisë në arenën ndërkombëtare?

Çdo ndeshje që ekipi zhvillon në kompeticionet europiane është pozitive për lojtarët dhe për ekipin sepse me ndeshje të tilla rriten secila prej tyre. Kurse për ne si ekip dhe futbollin e femrave në Shqipëri është pozitive sepse futbolli shqiptar nëpërmjet ekipit të femrave vazhdon ndeshjet në kompeticionet europiane dhe çdo fitore e ekipit i rrit vlerat dhe pikët që futbolli i femrave në Shqipëri të përfaqësohet me dy ekipe në kupat e Europës, ndonëse të ardhurat financiare nuk janë të mëdha në këtë kompeticion.

A janë bërë investime të posaçme këtë sezon për të përforcuar skuadrën e vajzave në garat evropiane?

Në çdo kompeticion ne kemi bërë përforcime në ekip sepse i tillë është futbolli, por këtë sezon kemi bërë shumë afrime si për përfaqësimin në Europë ashtu edhe për kampionatin sepse objektivat tona gjithmonë mbeten madhore.

Çfarë pritshmërish keni për ndeshjen e kthimit në stadiumin “Loro Boriçi”? Si po përgatitet klubi për këtë sfidë?

Ndeshja e ardhshme është shumë e rëndësishme për ne sepse nga kjo ndeshje do të përcaktohet edhe ekipi që do të vazhdojë rrugëtimin në këtë kompeticion. Ne do ta vlerësojmë maksimalisht këtë ndeshje dhe stafi këto ditë do të punojë në të gjitha aspektet që ekipi të arrijë kualifikim për në turin tjetër.

Cili është vizioni juaj afatgjatë për ekipin e vajzave të Vllaznisë? A ka plane për të rritur më tej konkurrencën në Europë?

Ne vazhdimisht kemi punuar me plan afatgjatë për zhvillimin e futbollit të femrave pasi përveç ekipit të parë që është ky, ju besoj se e njihni, kemi edhe ekipet e moshave ku me ekipin U17 jemi kampion prej 5 vitesh. Mendoj se ne kemi bërë maksimumin për këtë sport si në kompeticionet kombëtare ashtu edhe ato ndërkombëtare dhe të njëjtën gjë do vazhdojmë të bëjmë ndonëse vështirësitë janë shumë të mëdha nga shumë arsye objektive dhe subjektive. Vështirësi me infrastrukturën, shumë pak investime (vetëm FSHF e mbështet këtë sport) si dhe konkurrenca e dobët në kampionat dhe dëshira e sëmurë e disa ekipeve për t’ia rrëmbyer kampionatin Vllaznisë me të gjitha mënyrat dhe jo për të zhvilluar dhe rritur numrin dhe cilësinë e vajzave që merren me futboll.

Poll

Lexo gjithashtu