Klubi i Partizanit ka bërë të ditur ditën e sotme që ekipi B i tyre do të rikthehet në kampionatin shqiptar. “Demat” do të jenë pjesë e Kategorisë së Tretë të Shqipërisë, duke nisur nga ky sezon, pra 2024/2025.
Trajner i këtij ekipi do të jetë Renaldo Kalari. Një ish i kuq, i cili vazhdon punën e tij duke kontribuar për Partizanin. Ndërsa ndihmës Kalarit do të jetë Erim Shehaj. Kujtojmë që Kategoria e Tretë do të startojë më 20 tetor.
Njoftimi i Partizanit:
Partizani B do të jetë një prej ekipeve konkuruese të Kategorisë së Tretë. Klubi ka vendosur të rikthejë ekipin “B” duke i shtuar një tjetër risi projektit afatgjatë që ka nisur. Pjesmarrja në Kategorinë e Parë do të jetë edhe objektivi kryesor i skuadrës , objektiv të cilin Partizani B arriti ta realizonte në sezonin 2020 -2021. Të kuqtë kanë nisur sot zyrtarisht përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Renaldo Kalari dhe ndihmësit Erim Shehaj. Kampionati Kategorisë së Tretë do të startojë më 20 Tetor 2024, ndërkohë që Partizani B pritet të jetë pjesë e skuadrave të Grupit B.