
Në intervistën e tij për "Ora Skaner", kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj foli për ngjarjet e javës së kaluar kur tifozët bardheblu ndërprenë stërvitjen e skuadrës duke mos lejuar që ekipi të përgatitej pas vendimit të klubit për të lënë Partizanin të luante në "Selman Stërmasi".
"Ata tifozë që iu imponuan tifozëve janë të paktë, janë një minorancë e papërfillshme.
Tifozët e Tiranës nuk janë ata që bllokuan stërvitjen e skuadrës.
Jam i bindur se 99.9% e tifozëve të Tiranës që kanë gjak bardheblu nuk duan të jenë si ata
Tirana është qytet i hapur për të gjithë. Është një qytet që ka pritur çifutë në Luftën e Dytë Botërore, ka strehuar italianë pas kapitullimit, ka pritur 100 mijë refugjatë nga Kosova në kohën e luftës.
Por, tani disa persona dalin dhe thonë se nuk duam të presim Partizanin në shtëpinë tonë. Ne kemi pritur hasmin, ne na bëhet qefi kur dikush fal gjakun e jo më këto gjëra”, deklaroi kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj në "Ora Skaner".