Tirana nuk mori pjesë në Europa League, edhe pse me të drejtë i takonte që të ishte pjesë e fazës eliminatore. Skualifikimi i Skënderbeut për një vit, si dhe kalimi i Partizanit në Champions League, normalisht që duhet t’iu hapte derën bardhebluve për të qenë pjesë e kompeticioneve europiane. Por, kjo nuk ka ndodhur, duke shkaktuar dhe probleme të tjera.
Tirana dërgoi letër zyrtare në UEFA për të kërkuar dëmshpërblimin për atë çka ndodhi, ndërsa mësohet nga “Panorama Sport” se UEFA i ka kthyer pothuajse të njëjtën përgjigje bardhebluve. “Vendimi për të cilin keni bërë kërkesë është marrë nga UEFA në bazë të rregulloreve, precedentëve specifikë të mëparshëm dhe interesit sportiv të kompeticionit. Duam t’u bëjmë me dije që zëvendësimi i një klubi në një kompeticion bëhet në momentin që ndeshjet e vlefshme në atë event nuk kanë nisur ende. Gjithashtu, nënvizojmë se vendimi për ndryshimin e ekipeve është ndërmarrë nga ‘UEFA emergency Panel – Paneli i rasteve emergjente në UEFA'”.