
Vllaznia e këtij sezoni është endur mes shumë të panjohurash, ndërsa problemet e viteve të shkuara janë përsëritur në Shkodër. Klubi që administrohet nga bashkia e kryeqendrës së veriut, ende nuk po gjen diagnozën për të dalë nga një situatë që prej sezonesh përsëritet. Problemet financiare dhe largimi I trajnerit Jonuz, braktisja e stërvitjes nga lojtarët apo edhe shkallët e boshatisura në fillim të sezonit, tregojnë shumë për kuqeblutë, që kanë nxjerrë nga gjiti I tyre ikona të sportit shqiptar.
Në lidhje me këtë situatë, ka folur edhe një bir shkodre. Rudi Vata duket se ka gjetur ilaçin për t'I dhënë Vllaznisë shkëlqimin e munguar ndër vite, duke pretenduar se kalimi I pronësisë së klubit5 në duart e biznesmenit Alban Xhaferi është I pashmangshëm. I ftuar në Rubrika Sportive, Vata u shpreh: "Vllaznia t'I kalojë Alban Xhaferit. Për sa kohë që klubi do të administrohet nga Bashkia, do të jetë në një ngërç të tillë siç është sot". Kujtojmë se 100 vetori I klubit më të vjetër në vend, e gjeti skuadrën të rrëzuar nga elita e futbollit shqiptar.
"Vllaznia është menaxhuar tepër keq nga bashkia dhe fajtori kryesor është Bashkia e Shkodrës. Të gjithë ata që ka punësuar për të menaxhuar Vllazninë kanë qenë persona edhe në aspektin intelektual, edhe të menaxhimit, edhe të integritetit, që nuk kanë qenë si duhet për të përfaqësuar Shkodrën. Vllaznia ka stadium, futbollistë nga akademia, por ka shumë pak njerëz që punojnë për Shkodrën brenda saj. Sa më shumë që të përdoret politikisht, aq më shumë do të ketë probleme", tha mes të tjerash Vata.