
Deputeti i opozitës parlamentare Halit Valteri kërkoi që në seancën e sotme të mbahet një minutë heshtje për 14-vjeçarin Renis Muça, i cili vdiq në Turqi 3 ditë më parë.
Në seancën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, Valteri zbulon se ka
qenë njeriu i parë që i ka ofruar ndihmë djaloshit, i cili u plagos pas
një aksidenti të rëndë 3 muaj më parë.
Më pas ai akuzoi
qeverinë dhe ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për mungesën e
spitaleve. Valteri përmend se shumë shqiptarë po largohen për shkak se
nuk ndihen më të lumtur në vendin e tyre.
''Pak ditë më parë
një lajm i trishtë erdhi nga Turqia për Renisin 14-vjeçar që nuk arriti
t'i mbijetonte plagëve të marra nga aksidenti. I dhashë ndihmën e parë.
Mbajmë një minutë heshtje. Jam interesuar gjithmonë për gjendjen e tij
shëndetësore. E nxorrën nga spitali sepse nuk mund të bënin më asgjë për
të. Ikja e tij na la pas vetëm dëshpërim. Mjaftojnë vetëm 10 km rrugë
që të bëhet një spital. Prandaj kur dëgjoj se shqiptarët duan të ikin
mendoj se nuk kanë mundësi të zgjedhin për jetën e tyre. Në këtë vend
nuk të lejojnë të jesh i lumtur. Shqiptarët duan të ikin se nuk zgjedhin
dot", u shpreh Valteri sot në parlament.