
Largimi i trajnerit Adolfo Sormani duket se do të rregullojë shumë punë në klubin e kuq, sidomos në marrëdhënien mes stafit dhe lojtarëve, të cilat kanë qenë të "krisura" për shumë javë. Kujtojmë që në verë, debati mes Adolfo Sormanit dhe Renato Arapit, apo në një rast tjetër me Sodiq Atanda.
Ndërsa në javët e fundit situata u "shtrëngua" me Mentor Mazrekajn, i cili u trajtua mjaft keq nga italiani, por edhe ndihmësit e tij. E njëjta gjë edhe me Renato Malotën, i cili ende nuk ka debutuar me të kuqtë, edhe pse gjendja e tij ka ardhur drejt formës optimale.
Ardhja e Sulejman Starovës ka rikthyer optimizimin te disa futbollistë, por edhe formacioni pritet që të ndryshojë. Dihet që zgjedhjet e Starovës gjithnjë kanë rezultuar bindëse, ndërsa tifozët tashmë pritet që të shohin në fushë idhullin e tyre, Mentor Mazrekajn. Veç tij, edhe Renato Malota pritet që të integrohet në lojë, pasi është një nga blerjet më të bujshme të të kuqve këtë verë.