
Dita e djeshme mund të konsiderohet si më e turpshmja për sportin e basketbollit. Dyert e sallës sportive "Feti Borova" u mbyllën duke mos lejuar Kombëtaren të stërvitet aty. Arsyeja e vënies së drynit sipas drejtuesve të këtij pallati, ka qenë mosshlyerja e detyrimeve nga ana e FSHB-së.
Për këtë ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Basketbollit që përmes një deklarate për mediet e konsideron të papranueshëm dhe të turpshme këtë ngjarje që i ka ndodhur Kombëtares sonë.
Sipas tij, skuadra kuqezi përfaqëson kombin dhe nuk mund të jetë një "qiraxheshë" në shtëpinë e saj. Në komunikatën për mediet thuhej:
"Episodi i paprecent i ditës së djeshme kur ekipit kombëtar të basketbolli për meshkuj iu mbyllën dyert e Sallës Sportive të Lojërave me Dorë "Feti Borova" në Parkun Olimpik të Tiranës, duke i mohuar edhe mundësinë për të kryer séancën e fundit stërvitore, na ka indinjuar pamasë, si Federatë, por edhe si komunitet i këtij sportit. Preteksti dhe presioni i përdorur nga Agjensia e Parqeve dhe Rekreacinit për nënshkrimin e një kontrate - pagesë nuk duhej kurrsesi të vendoste mbylljen e dyerve për ekipin kombëtar shqiptar.
Duhet theksuar këtu se, gjatë përurimit të sallës në ditët e para të qershorit të 2017-ës, është thënë publikisht nga drejtuesit e qeverisë shqiptare, por edhe të pushtetit vendor, se kjo sallë do të ishte shtëpia e sportit dhe shtëpia e ekipeve kombëtare. Kjo është e lehtësisht e verifikueshme, mjafton t'u referoheni kronikave të kohës. Për këtë arsye e gjejmë plotësisht të pakuptimtë dhe absolutisht të papranueshme përpjekjen për të imponuar një tarifë për stërvitjet apo ndeshjet e ekipeve përfaqësuese te vendit. Sepse nuk mundet te konsiderohen Qeraxhesh Kombëtarja Shqiptare në vendin e vet. Federata Shqiptare e Basketbollit është e ndërgjegjshme dhe i respekton ligjet dhe legjislacionin në fuqi dhe për këtë arsye, ne i kemi bërë Bashkisë së Tiranës, nëpërmjet Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, pagesat për zhvillimin në këtë sallë sportive të fazës finale të Ligës Ballkanike në Basketboll për Meshkuj, por edhe të Divizionit C të Kampionatit Evropian të Basketbollit për Meshkuj për Nën-16-vjeçarët, edhe pse të dyja këto veprimtari ishin më tepër çështje të përfaqësimit të Shqipërisë në arenën sportive ndërkombëtare sesa çështje komerciale. Theksojmë këtu se këto pagesa kanë gllabëruar 10 % të gjithë buxhetit vjetor të Federatës Shqiptare të Basketbollit të akorduar nga akorduar nga Buxheti I shetit.
Por FSHB-ja nuk mund të pranojë që Kombëtarja të trajtohet si çështje komerciale, pasi nuk është kurrsesi e tillë, por është çështje e përfaqësimit të vendit, sepse ajo përfaqëson flamurin, ngjyrat dhe himnin kombëtar. Për këtë arsye, e gjejmë të pavend imponimin e kësaj pagese për ekipin kombëtar dhe të turpshme mbylljen e dyerve për ekipin kombëtar, një veprim i paprecedent që ka ardhur në fakt pas disa tentativave të mëparshme të ngjashme.
Theksojmë se në asnjë vend të botës, ekipi kombëtar i basketbollit nuk paguan për stërvitjet e tij dhe kjo e bën ngjarjen e së enjtes pasdite të pa precedent dhe të turpshme. Për më tepër, është e pamendueshme që, një sallë sportive që u përurua pikërisht me një ndeshje basketbolli, e për më tepër me një ndeshje që përçoi idenë e unitetit mbarëkombëtar, pasi veteranët e Shqipërisë u përballën me ata të Kosovës, e për më tepër një sallë sportive që mban emrin e njërit prej "baballarëve" të basketbollit shqiptar si Feti Borova, t'i mbyllë dyert ekipit kombëtar të basketbollit. Besoj se këto fakte flasin më shumë se gjithçka dhe ne bëjmë thirrje për reflektim!"