Konsiderohet si mbrojtësi i majtë më i mirë në botë dhe jo më kot… Theo Hernandez sapo kurorëzoi me titullin kampion sezonin e tij fantastik me Milanin, duke qenë ndoshta dhe lojtari kryesor i Piolit.
Me Scudetton në duar, Theo ka folur për fitimin e trofeut, mbështetjen e tifozëve, garën me Leaon se kush është më i shpejtë, si dhe zbuloi bisedën sekrete me drejtorin Paulo Maldini, duke thënë se ky i fundit e ka bindur se është më i miri në botë.
“Kemi besuar gjithmonë te fitimi i titullit. Shumë njerëz na tregonin Interin si favorit, ndërsa tani jam kurioz t’i dëgjoj se çfarë thonë. Tashmë kampionë jemi ne dhe titulli ka qenë objektiv për të gjithë skuadrën. Jam shumë i lumtur. Do të shijojmë një muaj pushime e më pas do të rikthehemi. Uroj të vazhdojmë kështu”.
“Mbështetja e tifozëve? Nuk ka imazh më të mirë, sepse ata besuan që në ditën e parë dhe tani e shohim se sa shumë kishim pas vetes. Ndjesia që më falin ata, është e jashtëzakonshme”.
“Biseda me Maldinin në Ibiza? Tema mbetet midis nesh, por ai nuk resht duke më përsëritur se duhet të jem më i miri në botë. Në fillim nuk e pata të lehtë, por me kalimin e kohës kuptova mundësitë e mia dhe çfarë më kërkohej.
LEXO EDHE: Kampioni Rafael LEAO: Merita është e Piolit, dua një garë me Theo! E ardhmja? Qëndroj në Milano
“Gara me Leaon? (qesh) Duhet provuar se nuk jemi sfiduar kurrë. Rëndësi ka që në fushë ndihemi mirë me njëri-tjetrin. Ai është përmirësuar ashtu si edhe unë e tashmë jemi një dyshe cilësore”, tha mes të tjerash Theo Hernandez.