Sezoni 2016-2017 ishte thjeshtë fenomenal për Kukësin, me verilindorët që arritën të ngrinin për herë të parë titullin kampion të Superligës. Skuadra e drejtuar asokohe nga trajneri aktual, Ernest Gjoka arritën që të "thyenin" dominimin e Skënderbeut, por kjo nuk kaloi pa polemika.
Kjo për shkak të një skandali që shpërtheu pas takimit mes Kukësit dhe Partizanit, ku futbollisti i të kuqve, Emiliano Vila publikoi një regjistrim audio me një prej menaxherëve të njohur, Drini Çaushi. Ky i fundit telefonoi mesfushorin, ku duket se i kërkonte të toleronte takimin me verilindorët, i cili përfundoi me shifrat 0-0. Krahun e Vilës e mbajti edhe Trashi, i cili ishte gati "të përfshihej" në këtë aferë.
Megjithatë, kjo nuk e ka ndalur Çaushin për të vijuar punën e tij si menaxher. Së fundmi, ai bashkëpunoi me Tiranën, teksa solli te bardheblutë futbollistin e kombëtares shqiptare U-21, Kostandin Kariqi. Një mbrojtës me mjaft prespektivë, ndërkohë që bashkëpunimi mes Tiranës dhe Drini Çaushit nuk besohet se do të ndalet këtu. Kjo pasi Çaushi i premtoi presidentit të klubit, Refit Halili se bashkë mund të bëjnë çudira.
"Sëbashku mundet të bëjmë çudira. këtë ti e di shumë mirë z. President Rit Halili. Flm për besimin tënd o mik i hershëm i familjes time. Tirona kampione gjithmonë"-ishte mesazhi i Çaushit, teksa shihej nën shoqërinë e numrit 1 të bardhebluve.
