Nesër, Tirana do të luajë në transfertë kundër Kukësit, ndeshje e vlefshme për javën e 21-të të Superiores. Para kësaj sfide ka folur trajneri i bardhebluve, Ardian Mema që në konferencën e zakonshme për shtyp ka deklaruar se skuadra e tij bën vetëm llogaritë e saj.
Ndaj, një fitore e mundshme ndaj verilindorëve nuk është aspak nder për Partizanin sipas teknikut bardheblu.
“Në bisedat që kam pasur me futbollistët iu kam kërkuar të ruajmë vazhdimësinë. Na presin sfida të vështira në vijim, duke nisur nga ndeshja e nesërme.Jemi pak të lodhur fizikisht, si pasojë e ngjeshjes së kalendarit. Kemi luajtur disa ndeshje në pak kohë.
Rivali i radhës? Besoj se Flamurtari është tregues force, sepse ka lojtarë me kualitet dhe eksperiencë. Janë aty-aty me Kukësin. Jemi të plotë dhe do të synojmë rezultat pozitiv.
Fitorja jonë ndaj Kukësit mund t’i bëjë nder Partizanit? Ne mendojmë për vete, fillimisht, për askënd tjetër. Partizani bën punën e vet, ne tonën. Mos harroni se shpejt vjen derbi dhe mund ta frenojmë edhe Partizanin.
Megjithatë, nuk mendojmë fare për derbin. Të kalojmë me sukses ndeshjen e radhës. Uroj të shkojmë në përplasjen me Partizanin me rezultate pozitive, sepse ekipi nuk do të ishte në presion. Klasifikimi dhe rivalët për mbijetesë? Nuk shoh poshtë, di të shikoj vetëm sipër. Tirana nuk krahasohet me ekipet poshtë, edhe si emër, por edhe me futbollin që luan.
Natyrisht, ka edhe ndeshje të çuditshme, sa iu përket rezultateve. Fjala vjen, Laçi më duket shumë i fortë, që të humbasë në shtëpi. Megjithatë, futbolli i njeh të tria rezultatet. E mira është që të shohim punën tonë, jo të tjerët.
A më kënaq barazimi ndaj Kukësit? Mentaliteti im është që t’i fitojmë ndeshjet. Nuk hyjmë për barazim nesër, por ka ndeshje që luhen edhe për të mos u humbur.
Varet edhe nga forca e kundërshtarit. Shpesh ta do puna të tërhiqesh zvarrë për një barazim, por kjo nuk është në mentalitetin tim.
Pse kemi kërkuar arbitra të FIFA-s? Unë kam qenë i fokusuar te stërvitja, është një pjesë me të cilën nuk dua të merrem. E përgatis ekipin për ndeshje, pa marrë parasysh arbitrin. Futbolli ka polemika, secili kërkon drejtësi. Gabojnë lojtarët, por edhe arbitrat”, ka përfunduar trajneri Ard Mema.