
Inter arriti të fitonte kundër Milanit me rezultatin 2-1, ndeshje e vlefshme për Kupën e Italisë. Zikaltërit u kualifikuan në gjysmëfinale, ndërsa Zllatan Ibrahimoviç penalizoi kuqezinjtë me kartonin e kuq në minutën e 53-të.
Pas sfidës ka folur trajneri i Milanit, Stefano Pioli i cili ka shprehur bindjen se skuadra e tij do të kishte fituar me suedezin në fushë.
"Jam i zhgënjyer që u eliminuam, sepse na bënte për këtë garë. Kjo paraqitje tregon se ne jemi skuadër e fortë e cila mund të mbahet mirë, por gjërat u bënë shumë më të vështira kur mbetëm me 10 futbollistë në fushë.
Ishte një ndeshje e baraspeshuar, dallimi i vetëm ishte që ne ishim me një lojtar më pak. Sikur të ishim 11 kundër 11, loja ishte e hapur për çdo rezultat dhe ne po fitonim 1-0", ka deklaruar ai.