
Gjeorgjia ka një ndeshje të vështirë përpara. Kombëtarja e këtij vendi do përballet me Shqipërinë ditën e martë në Air Albania, me takimin miqësor që fillon në orën 18:00.
Në prag të këtij 90 minutëshi ka folur trajneri i gjeorgjianëve, Willy Saniol, i cili vlerëson në maksimum Shqipërinë. Saniol shprehet se e njeh rivalin dhe pret një takim të vështirë. Numri një i pankinës thotë se kuqezinjtë janë një ekip stabël dhe pa shumë ndryshime prej vitesh.
"Kam të njëjtat pritshmëri si përpara ndeshjes kundër Bosnjë-Hercegovinës. Është e qartë për stafin që duam t'i përdorim këto ndeshje miqësore për t'u përgatitur për Ligën e Kombeve. Dinamika ka ndryshuar që prej tetorit.Pas ndeshjes ndaj Bosnje-Hercegovinës, kam qenë i kënaqur me disiplinën dhe shpirtin e ekipit dhe pres të njëjtën gjë edhe ndaj Shqipërisë.
E njohim shumë mirë kundërshtarin. Studimi i kundërshtarit është pjesë e punës sime. Sigurisht që Shqipëria është një skuadër e fortë, gjë që u dëshmua në ndeshjen kundër Spanjës. Kundërshtari ka lojtarë interesantë që luajnë në klube të mira evropiane. E dimë se do të jetë të paktën një ndeshje po aq e vështirë sa ajo që luajtëm kundër Bosnje-Hercegovinës.
Skuadra shqiptare mund të jetë e lodhur pas ndeshjes dhe udhëtimit në Spanjë, gjë që është e kuptueshme. Nuk përjashtohen ndryshimet. Skuadra shqiptare vitet e fundit nuk ka ndryshuar shumë në stil dhe taktikë. Për të arritur një rezultat pozitiv, është më e rëndësishme për ne të ruajmë disiplinën dhe shpirtin e ekipit" - tha ai.