Arjan Bellai ka folur pas fitores 1-0 kundër Egnatias, e vlefshme për javën e 14-të të Superiores. Trajneri i Bylisit u shpreh i lumtur me atë që skuadra e tij dha në fushën e blertë, e veçanërisht për lojtarin Ruçi që shënoi pas humbjes së vëllait në Angli. Në fjalën e tij për Oversport, Bellai u shpreh:
“Duhet të jemi të fortë se jeta vazhdon. Këtë e tregoi sot djali i tyre sot. Ky është shembull për këtë grup. Humbi njeriun e tij më të dashur. Hoqi mërzinë dhe e shprehu në fushën e lojës. Dhimbja t’i kthehet në forcë. Ishte një fitore e merituar. Kemi bërë shumë gabime. Ndryshuam atë taktikën tonë. Në pjesën e parë nuk e realizuam, në të dytën po. Nuk jam i kënaqur shumë me lojën. Duhet të jemi të përgjegjshëm dhe kur dalim para porte. Nuk duhet të presim gjithmonë të vijmë nga zona e dytë. E mira ishte se fituam dhe na dha këtë 3 pikësh.
Edhe në deklaratat e mia që bëra dje, thashë se shkojmë për të marrë diçka. Nuk e besoja se do të merrnim fitoren. Zoti na ndihmoi për të fituar. Kjo është një fitore psikologjike. Kampionati filloi prapë. Ne duhet të tregojmë se jemi të aftë për të qëndruar në kategori. Duhet të mbledhim sa më shumë pikë.
Fusha? Ke parë që në atë fushë me Tiranën kemi bërë lojë të mirë. Nuk besoj se ka qenë problemi i fushës. Janë lojtarë të rinj dhe të jemi sa më të qetë. Shpresoj që kjo fitore t’i çlirojë”, tha ai.