Një fjalë më shumë e thënë në gjaknxehtësi e sipër nga trajneri Armando Cungu, pas humbjes së Vllaznisë ndaj Flamurtarit, ka sjellë reagimin e klubit vlonjat që e konsideron këtë sjellje të papranueshme.
“Keni për të ikur për lesh”, u tha Cungu vlonjatëve pas humbjes, ndërsa drejtori i klubit të Flamurtarit, Vangjel Laluci, në reagimin e tij për “Panorama Sport” e ka cilësuar trajnerin e Vllaznisë një rrugaç.
“Kam mbetur i zhgënjyer nga fjalët e Armando Cungut. Kam pasur një mendim tjetër për të, por me ato çfarë tha pas humbjes ndaj Flamurtarit kam mbetur i habitur.
Nuk i takojnë një shkodrani që të nxjerrë nga goja ato fjalë të poshtra. Është e papranueshme. Vllaznia fitoi 1-0 në Vlorë në fazën e dytë, por ne u dhamë dorën dhe i uruam suksese.
Nuk mund ta pranojmë këtë sjellje të trajnerit të Vllaznisë. Nuk mund të na ofendojë ne, vetëm se nuk i përgjigjet skuadra në fushën e lojës. Ai fjalor nuk i lejohet një tifozi, e jo më një trajneri. E dënojmë me forcë këtë sjellje të Cungut”, tha drejtori i klubit të Flamurtarit, Vangjel Laluci.
