
Veprimtaritë sportive në Shqipëri janë ndalur qysh në 12 mars, atëherë kur Qeveria e vendit vendosi për masat ndaj virusit Covid-19, që ka shkaktuar 31 viktima në vend si dhe qindra të infektuar. Teksa dje, përfaqësues të FSHF-së dhe ministrisë së Shëndetësisë zhvilluan një takim, për të vendosur fatet e futbollit.
Vetë ministrja Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se do të lejohen trajnimet individuale në terrenet sportive qysh prej 18 majit, ndërsa ende është e paqartë data e nisjes së veprimtarisë. FSHF ka në plan që kampionati i Superligës të rinisë në 31 maj me javën e 27-të, ndërsa ende nuk është dhënë "ok" për stërvitjet në grup.
Në këtë koas prej situatës, futbolli shqiptar ende është "në ajër" ndërsa veç klubeve të elitës, veprimtaritë zvillohen edhe në kategoritë më të ulëta. Në një kohë kur ende nuk ka një datë për rinisjen e stërvitjes në grup, duhet marrë parasysh që klubet duan kohën e tyre në përgatitjen e lojtarëve, që prej dy muajsh vuajnë mungesën e terreneve të gjelbërta. Rinisja e topit duket larg, ndërsa FSHF synon që në 31 maj të zhvillohet java e 27 e Superligës shqiptare.