
Laçi do të luajë në transfertë kundër Partizanit, ndeshje e vlefshme për javën e 13-të të Superiores. Ky takim do të zhvillohet në "Elbasan Arena", ndërsa trajneri Armando Cungu duhet të bëjë pa shërbimet e Abdurraman Fangajt. Mbrojtësi i djathtë s'ia ka dalë të jetë titullar për këtë takim, ndaj tekniku shkodran duhet të mendojë zëvendësuesin e tij.
Shtatlarti ka qenë stabël në 11-shen e kurbinasve, por në një sfidë kaq të rëndësishme si me kampionët, ai s'mund të jetë në fushë për probleme fizike. Vendin e tij pritet ta zërë Ardit Deliu, megjithatë ende s'është vendosur përfundimisht. Ndaj kryeqytetasve do të tentohet fitore, ndaj shkodrani ka menduar të zhvendosë në prapavijë mesfushorin duke hapur një vend në këtë repart. Takimi mes Partizanit dhe Laçit është programuar të zhvillohet të hënën në orën 18:00, në stadiumin "Elbasan Arena".