
Tirana e futbollit është rikthyer te sukseset, teksa fitorja në derbin ndaj Partizanit ka ngrohur jo vetëm xhepat e futbollistëve. Ndeshja e fundit ndaj Flamurtarit pa në fushë një ekip që prodhoi lojë, duke finalizuar rastet për shënim me dy gola në pjesën e dytë. Të diel, 24 herë kampionët e vendit i pret një ndeshje e vështirë në transfertë, me Laçin që gjithmonë ka rezultuar "kockë e fortë" për ekipet e traditës.
Nga sa mësohet, Tirana mund të ketë disa ditë shplodhjeje. Ekipi pritet të marrë pushimet dimërore, për t'u rikthyer në fillimin e janarit me fazën përgatitore që mund të zhvillohet në Turqi. Kjo nuk do të ishte hera e parë që bardheblutë do t'i kushtonin vëmendjen e duhur pjesës së dytë të sezonit, duke zhvilluar javën e përgatitjeve jashtë vendit. Janari do të jetë i nxehtë për Tiranën, ku veç zyrtarizimit të trajnerit të ri, pritet që edhe grupi i lojtarëve të ndryshojë. Presidenti Halili e ka theksuar se do të shihen pozicionet ku ekipi ka nevojë për ndërhyrje, si dhe për largime të mundshme të elementëve që nuk kanë rezultuar në pritshmëritë e klubit.