Drejtori i Përgjithshëm i Kukësit, Ekrem Spahiu, ka dhënë një intervistë për sajtin zyrtar të klubit verilindor ku ka folur për ndeshjen e kthimit ndaj Austrisë së Vienës dhe rëndësinë e rikthimit të tifozëve në mbështetje të ekipit. Intervista e Spahiut vazhdon më poshtë:
– Si e vlerësoni takimin në Vjenë?
– Takimi i parë i zhvilluar në Vjenë ishte shumë i rëndësishëm dhe emocional, pasi Kukësi luante përballë një ekipi shumë të fortë dhe me emër jo vetëm në Austri, por edhe në futbollin europian. Pavarësisht emrit të madh të kundërshtarit ekipi i Kukësit tregoi në fushë një futboll të mirë dhe dinjitoz, madje ma pak fat do ta kishim mbyllur takimin në barazim.
– A është e mundur që Kukësi ta përmbysë rezultatin dhe të kalojë në turin e tretë në ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena”?
– Kukësi tashmë ka krijuar përvojën e duhur në kompeticionet europiane për të kaluar tur pas turi, por edhe gjendja aktuale e ekipit është shumë e mirë. Përforcimet në merkato, huazimi i katër lojtarëve për ndeshjet në Kupat e Europës dhe ndeshja shumë e mirë zhvilluar në Vjenë japin garanci të plota për kalimin me sukses të kësaj ndeshje.
[caption id="attachment_17306" align="alignleft" width="300"] Spahiu, Gjici dhe Jonuz Hallaçi gjatë festimeve të fitores së Kupës[/caption]
– Ekipi i Kukësit është falur nga UEFA dhe takimi në “Elbasan Arena” do të luhet me tifozë. A mendoni se do të mbështetet ekipi në këtë ndeshje shumë të rëndësishme?
– Tifozeria e kukësit ka qënë gjithmonë e zjarrtë në mbështetjen e ekipit të zemrës dhe pa diskutim ka merita të jashtëzakonshme në rezultatet e ekipit dhe të gjtha suksesve që ka arritur gjatë këtyre viteve në kompeticionet kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Ata ishin të pranishëm edhe në dy ndeshjet për Kupat e Europës, si në Nikshiç, po ashtu edhe në Vjenë. Meqënëse UEFA e ka falur Kukësin nga dy ndeshje në një pa tifozë, është një lajm shumë i mirë për tifozerinë kuksiane, që do të jetë e pranishme në stadiumin “Elbasan Arena” për të mbështetur fuqishëm ekipin në një ndeshje krejtësisht të hapur për kualifikimin e mëtejshëm.
Besoj se stadiumi do të jetë i mbushur plot e perplot se përveç tifozerisë kuksiane të pranishëm do të jenë tifozët nga Elbasani, Cërriku, Peqini, Gramshi, Librazhdi (që janë në të njëjten Prefekturë) por edhe nga e gjithë Shqipëria se janë të bindur që Kukësi do t’i kënaqë si përherë me lojë dhe rezultat kualifikues për më tej.
– Ku e bazoni këtë besim ?
– Kukësi nën drejtimin e Presidentit Safet Gjici ka bërë historinë, jo vetëm për futbollin e Kukësit, por edhe atë kombëtar. Në katër vite jo vetëm që është rregullisht në Kupat e Europës, por ka shkuar deri në turin e katërt. Synimi është që në këtë sezon të kalojmë deri në grupet e Europa Leagues.
Besimin e bazoj te përvoja e krijuar në kompeticionet europiane, kontigjentin aktual të lojtarëve, stafin teknik nën drejtimin e z. Hasan Lika, stafin mjekësor, përgatitësit fizik, stafin drejtues të klubit, mbështetjen e tifozëve dhe mbi të gjitha mbështetjen e gjithëanëshme të Presidentit Safet Gjici.
– A do të ketë organizime të tifozerisë ?
– Çdo sportdashës i futbollit nuk do ta humbë këtë mundësi për të ndjekur një takim kaq të rëndësishëm sikurse ështe Kukësi – Austria e Vjenës. Përveçse duan të shikojnë Kukësin duan të shohin nga afër edhe ekipin e famshëm të Austrisë që e kujtojnë me nostalgji nga ndeshjet me Vllazninë, Dinamon dhe Partizanin.
Jam i sigurt se tifozeria kukësiane do ta ndjekë masivisht ekipin duke e kthyer datën 21 korrik në një festë të vërtetë. Jam I bindur se nga Kukësi, Tirana, Durrësi e ngado ku janë kuksianët do të jenë të pranishëm në stadium për të mbështetur ekipin e zemrës. Besoj se stadiumi i përket tifozëve, ndërsa fusha lojtarëve të Kukësit.
Z.Safet Gjici do të vendosë në dispozicion të tifozerisë edhe autobusë falas për ato që nuk do të kenë mundësi për të lëvizur në mënyrë individuale apo në grupe të vogla. Ftoj drejtuesit e shoqatave të tifozerisë kuksiane që të organizohen sa më mire për tëqenë të pranishëm në stadium dhe mbështetur ekipin me një mënyrë sa më të kulturuar dhe brenda rregullave të përcaktuara nga UEFA duke dëshmuar se jemi një tifozeri europiane!
Duke e mbyllur u bëj thirrje të gjithë tifozerisë që ta mbështesin fuqimisht ekipin e Kukësit, pasi është një kombëtare e vogël që i ka dhënë një imazh shumë pozitiv të gjithë futbollit shqiptar.