
Kukësi i ka dhënë fund përgatitjeve për ndeshjen e nesërme ndaj Teutës. Ditën e djeshme skuadra kuksiane bojkotoi stërvitjen për shkak të rrogave të padhëna, ndërsa sot mësohet se ekipi ka zbritur në fushë duke i dhënë "dorën e fundit" përgatitjeve. Situata ka qenë pozitive pasi çështja e rrogave është zgjidhur.
Të gjithë futbollistët janë vënë në urdhrat e trajnerit Rrahman Hallaçi i cili nesër do të ketë një përgjegjësi të madhe në pankinë. Skënder Gega mungon prej Coronavirusit dhe në këto kushte i lind detyra ish-mbrojtësit verilindor ta zëvendësojë.
Nënkampionët e Shqipërisë udhëtojnë drejt Durrësit si jofavoritë, megjithatë drejtuesit u kanë kërkuar të reagojnë për të marrë pikët e para në këtë javë të tretë të Superiores. Ndërkohë ekipi po qëndron i grumbulluar. Ndeshja Teuta - Kukësi do të luhet në stadiumin "Niko Dovana" të Durrësit, në orën 16:45.