
Amir Abrashi dhe Armando Sadiku mund të jenë mungesat e mëdha të kombëtares kuqezi në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të nëntorit. Ekipi i drejtuar nga Edouardo Reja luan dy ndeshje në shtëpi, teksa në 14 nëntor pret Andorrën në "Elbasan Arena" dhe tre ditë më pas luan ndaj kampionëve të Francës në kryeqytet, ndeshje që do të inaugurojë edhe impiantin më të ri "Arena Kombëtare". Me këmbët jashtë kualifikimit, djemtë e Shqipërisë janë duke parë mundësinë për t'u renditur të tretët në grup, për të fituar pozicione në renditjen e UEFA-s.
Trajneri italian duket se do të ketë disa kokëçarje për dy sfidat e fundit. Amir Abrashi dhe Armando Sadiku rezultojnë të dëmtuar, duke u lënë jashtë nga ekipet e tyre, respektivisht Freiburg në Bundesligën gjermane dhe Malaga në ligën e dytë spanjolle. "Pitbulli" ka rezultuar kyç në mesfushën e italianit të kombëtares, andaj një mungesë e tij do të ishte jo e mirëpritur. Gjermanët nuk kanë dashur ta rrezikojnë, duke e lënë shtatshkurtrin të kryejë rikuperimin e plotë.
Nga ana tjetër Armando Sadiku është ndalur serish nga një dëmtim jo i rëndë. Sulmuesi elbasanas ka qenë pikë fikse e sulmit në ekipin e Malagas, duke gjetur tri herë rrugën e rrjetës. 28 vjeçari nuk është grumbulluar asnjëherë me kuqezinjtë në kohën e Edi Reja-s, si pasojë e dëmtimeve që e kanë mbajtur jashtë kombëtares. Edhe në ndeshjet e kaluara, ai ishte pjesë e listës por një "problem familiar" e detyroi të rrijë jashtë. Në mungesë të tij, një afrim i ri mund të jetë ai i talenti të Chelseat, Armando Broja që luan me moshat kuqezi.