
Ditën e djeshme, në orët e fundit të merkatos, klubi i Manchester United punoi intensivisht për të afruar një mesfushor. Pasi iu afruan shumë emra në tavolinë si Isco apo Carrasco, drejtuesit në fund zgjodhën austriakun e Bayern, Marcel Sabitzer. Mesfushori që do të luaj në vendin e Eriksen tashmë të dëmtuar, u afrua në Manchester në formë huazimi deri në mbarim të sezonit.
Nënshkrimi me të përmban edhe një klauzolë transferimi të përhershëm, por që nuk është e detyrueshme. 28 vjeçari që u mor tek kampionët e Gjermanisë nga skuadra e Leipzig, fillimisht ishte një nga të preferuarit e trajnerit Nagelsman. Por forma e mirë e Kimich dhe Goretzka bënë që Sabitzer t’i niste ndeshjet nga stoli. Transferimi në Angli ishte mjaft i pëlqyeshëm për të ku mund të gjejë minuta të bollshme krah Casemiros Në mesin e fushës.
Ten Hag gjen kështu një mesfushor të fortë që do të mbylli boshllëqet që la Eriksen me dëmtimin e tij, e cila do të mbajë jashtë fushave deri në Prill. Këtë sezon me Bayern, Sabitzer ka luajtur 15 ndeshje në kampionat duke nisur vetëm 8 prej tyre nga minuta e parë. Për të në ditën e fundit të merkatos u interesua edhe Chelsea, por synimi i klubit të Boehly ishte të merrnin me ngulm Fernandez dhe për austriakun u zbeh interesi i tyre.