
Tefik Osmani ka folur në emisionin “Sport News” të News 24. Drejtori i Tiranës preku si temë kryesore merkaton, për të cilën ka dhe përgjegjësi.
Ndër të tjera ai thotë se ka emra që janë përfolur, pa u kontaktuar nga bardheblutë sepse menaxherët duan të përfitojnë nga emri i Tiranës. Osmani tregon se kjo ndodh për t’i ushtruar presion klubeve të tjera që i kërkojnë.
Kujtojmë se kampionët e Shqipërisë do luajnë më 6 korrik ndeshjen e turit të parë të Champions League përballë Dudelange. Transferimet e bardhebluve kanë qenë 4 gjatë kësaj merkato, të cilët janë federuar dhe mund të aktivizohen në sfidat e ardhshme.
Intervista e Osmanit:
Është zhbllokuar zyrtarisht merkato e Tiranës? Ka ditë që është zhbllokuar, sepse lojtarët që kemi afruar të gjithë janë federuar dhe janë të gatshëm për ndeshjet.
Pse ndodh shpesh ky bllokim? Këto janë eksperienca që duhet të mësojmë, që kontratat t’i bëjmë më me kujdes dhe të jemi gjithmonë me sytë hapur. Mendoj në vitet në vazhdim, jo vetëm klubi i Tiranës, por dhe klubet shqiptare nuk do të kenë këto probleme.
Merkato? Kemi pasur momente që dhe donim të reagonim sepse menaxherë të ndryshëm ka shumë, për të çuar lojtarë diku tjetër fusin dhe emrin e madh te Tiranës dhe normalisht duke u përmendur lojtari te Tirana bëhet një farë presioni te skuadra tjetër që mbase e kërkon.
Ajeti? Është e vërtetë, kemi qenë në biseda të vazhdueshme. Ai na falënderojë, sepse ka qenë shumë korrekt me ne. Na ka thënë që pret oferta të tjera, por ne na nxitonte koha. Dmth koha nuk na priste kështu që pamë për diçka tjetër.
Kristal Abazaj? Siç e ka shprehur Kristali simpatinë, ashtu e kishim shprehur dhe ne. Trajneri e kishte te Kukësi. Unë kam marrëdhënie shumë të mira. Është lojtar që do t’i shtonte vlera skuadrës tonë, por me futjen në Superligë turke ishte e pamundur, sepse jo vetëm Kristalin, por të gjithë lojtarët shqiptarë do t’i mbante aty dhe unë i uroj sa më shumë suksese dhe fat.
Emanuele Ndoj? Kemi qenë në bisedime. Janë vërtet këto emra që ne kemi biseduar, sepse duam lojtarë cilësor. Të shikojmë në ditët në vijim se vërtet janë lojtarë që kanë shumë kosto, është shumë e vështirë.
Enea Mihaj? Mos m’i përmendni të gjithë sepse s’ka pasur emra të tjerë dhe nuk dua të ofendojë asnjë lojtar tjetër. Menaxherë të ndryshëm dhe portale duan të bëjnë lajme.
Ka ndikuar Seferi për lojtarët e Kombëtares? Edhe unë kur kam qenë futbollist dhe kam luajtur jashtë dhe kur vjen nga jashtë luan në Shqipëri, futbolli të ndikon. Mendonin njerëzit që nuk mund të ikësh jashtë. Seferi ka qenë gjëja më e mirë. Ka bërë që me përkushtim dhe me një klub të mirë siç është Tirana mendoj se dhe kombëtarja por edhe ofertat do të jenë shumë të mira. Ka futbollistë që duhet të japin maksimumin.
Domgjoni? E përmenda dhe thashë, mos të vijojmë, sepse janë lajme që kemi dashur të reagojmë, por për respekt të futbollistëve nuk kemi bërë diçka të tillë.
Për çfarë ka më shumë nevojë Tirana? Tirana ka nevojë për djem të mirë, për djem që futen në fushë dhe japin maksimumin e tyre. Kemi pasur nevojë për lojtarë me eksperiencë, siç afruam Aleksin dhe Hilën. Por kemi parë edhe lojtarë që Tiranës i duhen në vazhdimësi, siç kemi bërë me afrimet e Behiratçes dhe Përgjonit që kanë dalë lojtarë të mirë për këtë klub.
Nota që do t’i vinit merkatos? Vlerat e Hasanit dihen. Donim ta afronim që vjet, por për kontratën që kishte Hasani, sepse ishte dhe ai i gatshëm. Kemi afruar dhe lojtarë që e njohin shumë mirë si Aleksi dhe Hila, që kanë dalë kampion në Shqipëri dhe kjo s’është gjë e lehtë. Iseni presim të jetë një Behiratçe i dytë në kampionatin shqiptar. Notën nuk e di. Unë di që duhet të bëjmë një punë të mirë. Po këtë punë nuk e bëjë vetëm unë, e bëjmë komplet si staf, sepse po nuk pati bashkëpunim nuk ka asnjëherë sukses.
Janë larguar Hoxhallari, Toli dhe Hoti: Mendoj që lojtarët që janë larguar kanë pasur vërtet cilësi. Do t’ia ndjejmë mungesën e Hoxhallarit. Të ikë kapiteni nuk është gjë e lehtë. Hoti e kërkonte vetë largimi, sepse kërkonte minuta. Është fusha. Ne kemi aktivizuar çdo lojtarë dhe nuk ka trajner që nuk e do një lojtarë të mirë në fushë. Lojtarët që trajneri ka aktivizuar e kanë merituar. Tolin e kemi pritur dhe shpresojmë të bashkohet sa më shpejtë, sepse koha ikën dhe më pas do të bëhet shumë e vështirë.