Ernest Muçi është vënë në radarët e Skënderbeut. Talenti i Tiranës ka tërhequr vëmendjen e Ilir Dajës, i cili shquhet për promovimin e lojtarëve të rinj. 18-vjeçari nuk ka arritur të marrë shumë minuta në skuadrën bardheblu dhe në të tilla kushte është klubi korçar që tenton të përfitojë. Tekniku kryeqytetas ka ndezur dritën jeshile për të huazuar sulmuesin kryeqytetas në merkaton e janarit, megjithatë gjithçka do të mbetet në dorë të drejtuesve të Tiranës.
Një largim i mundshëm i Blerim Krasniqit në merkaton e janarit i hap rrugë transferimit të Muçit te Skënderbeu. Nuk mund të flitet për hapa zyrtarë, teksa gjithçka mbetet në kuadrin e thashethemeve. Fakt mbetet se trajneri Ilir Daja e njeh mirë Ernest Muçin dhe nëse do të arrihet marrëveshja për huazimin e tij, pa frikë mund të thuhet se 53-vjeçari do të arrijë ta ngjisë në majë 18-vjeçarin e dalë nga Akademia e Tiranës.
Sulmuesi ka një kontratë deri në vitin 2021 me Tiranën dhe kësisoj, nga ana e klubit korçar do të tentohet vetëm huazimi i tij. Pritet me interes të shihet se si do të reagojnë kryeqytetasit që vështirë se do të lejojnë të largohet një xhevahir i ekipit të tyre.