
Partizani luan nesër në Fier me Apoloninë. Ndeshja e orës 13:00 vlen për javën e 22 të Superligës, me trajnerin e të kuqve Ilir Daja që ka folur për mediet.
Numri një i pankinës ka kërkuar përqëndrim në ndeshjet e tyre, teksa humbja e Vllaznisë nuk është shfrytëzuar nga Demat. Në lidhje me afrimet e janarit, Daja është shprehur se ata nuk e kanë ndihmuar ekipin edhe nga koha e pakët që kanë me grupin, teksa ka cekur temën e rinovimeve nga java e ardhshme.
"Barazuam me Laçin në ndeshjen e fundit, që është një prej pretendentëve. Ne jemi me të njëjtin kontingjent, përveç janarit, sepse afrimet e janarit nuk na kanë ndihmuar shumë, por nuk kanë qenë pjesë e rëndësishme e grupit. Kemi luajtur mirë dhe na jep garanci për të ardhmen.
Mendojmë se jemi në gjendje të mirë, por nuk ka ndeshje të lehta. Në fillim të këtij viti kemi barazuar në Elbasan. Atmosfera është e mirë, përveç lojtarëve të dëmtuar, që nuk do jenë pjesë e jona. Jemi mirë edhe psikologjikisht.
Apolonia? E vështirë do të jetë ta vlerësojmë Apoloninë, ashtu si çdo kundërshtar tjetër në Superiore sepse në fund çdo ndeshje vlen 3 pikë. Jemi ekipi që kemi shënuar më shumë gola deri tani. Duhet të jemi më cinikë përpara portës, por e rëndësishme është të krijojmë raste sepse goli do të vijë më pas.
Kemi mbajtur vendin e dytë për kohë të gjatë dhe kemi më shumë pikë dhe lojë më të mirë. Përveç rinovimeve do e përmirësojmë grupin në pikat e dobëta. Kemi kohën e duhur. Duhet të nisë puna deri tani sepse janë lojtarë të rëndësishëm dhe duam t'i kemi në vazhdimësi.
Dëmtimet? Kemi nisur punën dhe para derbit drejtori dhe stafi do ulemi për të bërë të mundur rinovimet për vazhdimësinë. Asnjë i dëmtuar nuk rikuperohet për Apoloninë. Po stërviten të veçuar dhe këtë javë do jenë jashtë.
Mëllugja dhe Domingues po marrin formën e duhur për rolin në fushë dhe gjendjen fizike dhe duke parë ecurinë e lojës, mund të jenë në fushë ndaj Apolonisë. Vllaznia humbi në ndeshjen e fundit dhe ne nuk fituam, kështu që është më e rëndësishme të përqendrohemi te ndeshjet tona", tha Daja.