
Tirana e nisi këtë sezon në Superiore me mjaft vrull, ku të gjithë besuan se bardheblutë do riktheheshin në kohën e lavdishme. Megjithatë nën drejtimin e Dajës, dhe më pas Josës, uljet e ngritjet kanë qenë të vazhdueshme. Merkato e bërë në verë, solli në skuadër një yll siç është Ndockyt Merveille, apo një golashënues mesfushori si Afrim Taku. Objektivi i klubit bardheblu në këtë sezon janë Kupat e Europës, megjithatë të gjithë janë të bindur që 24 herë kampionët e vendit do të luftojnë për titullin.
Drejtuesit e skuadrës kanë nisur piketimet në merkato, ku mbrojtja dhe sulmi janë dy repartet që do të ndërhyjnë për të afruar lojtarë cilësorë. Gjithashut janë piketuar disa futbollistë, por për momentin nuk bëhet asnjë emër i ditur. Trajneri Mirel Josa ka deklaruar që e njeh kontigjentin që ka në dispozicion, ndërkohë që presidenti Halili ka shprehur gatishmërinë për t’i sjellë në skuadër Josës, lojtarët që dëshiron për organikën e tij. Kujtojmë që Tirana e mbylli këtë gjysmë sezoni në vendin e katërt, ndërsa me ardhjen e 2017-tës do të rivalizohet për titullin kampion.