Problemet e infrastrukturës në futbollin kosovar janë kthyer në një çështje të rëndësishme sidomos kur fjala është për stadiumin e Përfaqësueses së Kosovës. Ka disa kohë që flitet për ndërtimin e një stadiumi të ri dhe ideja e fundit është shumë ndryshe nga ajo që jemi mësuar.
Botërori i Katarit ka një vecanti ndryshe nga të tjerat. Shumë prej stadiumeve që janë ndërtuar enkas për këtë eveniment do të “ç’montohen” përsëri. Një prej stadiumeve është ai “Ras Abu Aboud” në Doha që ka zgjuar interesin e Kosovës. Nje donacion do të organizohet nga FIFA ku këto stadiume do të dhurohen për disa vende. Kosova do të aplikojë që të bëhet pjesë e këtij donacioni për këtë stadium.
Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, gjatë vizitës së tij në Kosovë, thuhet se ka biseduar me presidente Osmani për këtë çështje dhe ka ofruar mbështetjen e tij. Mënyra se si do të zhvillohet i gjithë ky projekt nuk është bërë e ditur akoma pasi fillimisht Kosova duhet të fitojë të drejtën për të përfituar këtë donacion.