Kombëtarja e vajzave me fytyrë të re, puna fantastike rrit konkurrencën dhe sjell në shtëpinë kuqezi talentet e skuadrave europiane (NDRYSHIMI ME VITIN E SHKUAR)
Kombëtarja shqiptare e vajzave do të përballet me Rumaninë në një ndeshje miqësore më 3 dhjetor, në ora 17:00 në stadiumin “Eugen Popescu”. Në kuadër të kësaj sfide, trajneri i përfaqësueses kuqezi, Armir Grima ka ftuar në Kombëtare 20 futbolliste, tre prej të cilave do të veshin për herë të parë fanellën kuqezi.
Viola Imeraj, e cila luan për ekipin e Dinamos së Zagrebit në Kroaci, Donika Dedaj që luan me FC Aaraut dhe Rreza Gashi, futbolliste e skuadrës së Malishevës në Kosovë do të përjetojnë për herë të parë emocionet e Kombëtares. Por jo vetëm kaq, lista e Kombëtares ka ndryshuar shumë gjatë këtij viti.
Shumë futbolliste kanë debutuar me ngjyrat kuqezi dhe shumë të tjera kanë mbyllur aventurën e tyre me ekipin kombëtar. Mjafton t’i hedhim një sy listës së vitit të shkuar dhe do të mund të shquajmë “fytyrën e re” të vajzave kuqezi. Shumë lojtare me prespektivë që shkëlqejnë në ligat elitare të Europës kanë zgjedhur rrugën e zemrës, atë të kombëtares shqiptare.
E kësisoj, hegjemonia e vajzave të Vllaznisë që kishin “pushtuar” ngjyrat kuqezi për shkak të performancës pozitive në Champions League, tashmë është thyer me të tjera vajza shqiptare me të njëjtin talent dhe të njëjtën dëshirë për të përfaqësuar ngjyrat e kombit të vet. Sigurisht “veteranet” e Superiores e kanë vendin aty, duke u gërshetuar mjaft bukur me të rejat e ardhura nga Kroacia, Italia, Zvicra, Turqia etj.
Falë transferimeve të shumë vajzave futbolliste në kampionate të rëndësishme jashtë vendit tonë dhe paraqitjet e tyre me ekipet ku luajnë kanë bërë që Grima t’i marrë në ekipin kombëtar. Nga shumë lojtare të Vllaznisë, tashmë vetëm 3 prej tyre kanë arritur të rezistojnë mes konkurrences së jashtëzakonshme për një vend në ekipin e vajzave kuqezi. Arbenita Curraj, Ezmiralda dhe Megi Doci mbajnë lart flamurin e shkodranëve në ekipin kombëtarë, ndërsa nuk mungojnë lojtare të ekipeve si Partizani, Apolonia, Dinamo Zagreb, Mitrovicës, Trabzonspor, Sassuolos, Comos, Baselit, apo dhe Winberg.