
Humbja e Kombëtarja me rezultatin 2-1 kundër Italisë i ka mërzitur të gjithë tifozët. Pavarësisht se lojtarët u munduan deri në fund të dilnin me pikë nga Dortmundi, nuk ia dolën.
Së fundmi ka reaguar dhe presidenti i FSHF-së Armand Duka. Numri 1 i Federatës Shqiptare të Futbollit fton tifozët të kenë besim dhe mbështesin Kombëtaren. Po ashtu Duka nuk harron të falenderojë të pranishmit e shumtë në “Signal Iduna Park”.
Postimi i presidentit Armand Duka:
"Çdo ditë duhet të jemi krenarë me Kombëtaren! Futbolli është i bukur, të bën të ëndërrosh dhe të besosh që gjithmonë ke mundësinë të fitosh. Besuam se mund të merrnim rezultat pozitiv ndaj Italisë, por nuk ia dolëm.
Pavarësisht kësaj, të gjithë ne duhet të jemi krenarë për këtë skuadër, të gjithë duhet të jemi të lumtur që jemi pjesë e Euro 2024. Djemtë dhanë gjithçka në fushën e lojës, u përpoqën të reagojnë dhe besuan deri në fund.
Na duhet ta rikujtojmë që kjo skuadër është ajo që na solli në Europian dhe kjo skuadër do luftojë deri në fund për çdo pikë, pavarësisht kundërshtarëve të fortë. Le të kemi besim te këta djem, t'i mbështesim dhe të besojmë tek ata deri në fund.
Në Dortmund përjetuam emocione të papërshkrueshme. Në stadium, në rrugët e qytetit, shqiptarë nga e gjithë bota u bashkuan e treguan se jemi më europian se europianët dhe kjo na bën akoma më shumë krenarë. Falënderime pafund për tifozët tanë, që në Dortmund krijuan "murin" kuqezi në mbështetje të Kombëtares".