Një lajm i trishtë sot për sportin shqiptar. Zhaneta Karriqi është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare. Një nga sportistet më të shquara në Shqipëri, në atletikë, mbylli sytë përgjithmonë pas një lufte disa vjeçare me një sëmundje të rëndë. Janë miqtë e të ndjerës që kanë shkruar në rrjetet sociale duke bërë me dije lajmin e kobshëm.
Karriqi ishte një atlete e shquar e sport klub Tiranës në vitet 75′ – 85′. Fiziku i saj binte gjithmonë në sy. Por miqtë e saj e përshkruajnë si një vajzë me karakter të fortë, ku arrinte të zgjidhte gjithçka në mënyrë individuale. Për ndarjen e saj nga jeta, ka shkruar mikesha e saj Linda Kalemi.
“Shumë pak e mbajnë mend atleten e klubit Tirana, Zhonën flokëartë, Zhaneta Karriqi ose bomba siç e thërrisnin dikur meshkujt. Jo për sportin jetëshkurtër, por për karizmën, estravagancën ose shkurt për kofshët e vithet e saj unike, ndjellëse për të cilat zinin pritë cepave të rrugëve djaloshët tiranas. Sa e sa çifte kam parë të grindeshin, sa lot janë derdhur prej atyre kofshëve. Ju kujtohet xhiro në breg, plazheve të Durrësit si soditeshin super trupat? Ne femrat me nallane prej druri parakalonim drejt Breshkës, kurse Zhona zbathur: “Hajde motra, bëjmë xhiro” dhe fiu flokët presh pas shpine. Me hapa gjigandesh sportistesh godiste rërën e lagur.
Unë në fillimet e lulëzimit mezi prisja. E dija që biondja vithelartë do të kthente kokat e plazhit drejt nesh. Dhe kështu ndodhte. Vështroja pas syzeve të errëta. Sapo dilte bomba, meshkujt ngriheshin nga çadrat drejt nesh. Shumë sherre çiftesh i kam në memorie. Kohë e shkurtër se u martova shpejt. Më pas 90-ta na shpërnda nëpër botë si zogj shtegtarë. Unë në Stamboll, Zhona në Athinë u largua, u martua, u harrua. Megjithatë çdo vit e shihje në plazh përsëri, por jo në xhiro, këmbëkryq te plepat, me thasë pranë, bujare në ekstrem. Shpërndante dhurata e veshje kush t’i dilte para. Kështu i shkoi jeta, puno fort e shpërnda familjes e botës. Por, zemra e madhe e bombës u lodh shpejt. 67 vjeç, dje pushoi përgjithmonë. Nuk i rezistoi 3 thikave në vit. Sa më dhembi lajmi yt. Pusho e qetë kushurirë”, shkruan Kalemi në facebook-un e vet.