"Rent or Marathonomak" e nisur në Greqinë e Lashtë për t'u zhvendosur në rrugët e zhurmshme të New York-ut. Nga lajmëtar për fitoren e luftës, për të triumfuar ndaj sfidës me veten, vrapojnë në Maratonën e famshme të New York, shqiptarët. Ishte një garë ku duhej të përvishje mirë "mëngët" pasi plot 42.195 kilometra ishin shtruar para tyre, por jo me atë tapetin e kuq.
Fillimisht duhej derdhur djersë, dëshira për të arritur sa më parë vijën e finishit duhej të mposhtte mundin e jashtëzakonshëm të përshkrimit të mijëra metrave. Nuk ishte e lehtë, por jo e pamundur. E një shembull konkret na e servir të ngrohtë bukuroshja nga Puka, Drilona Nika.
"Burrnesha" shqiptare prej disa vitesh ka zgjedhur të braktisë Tiranën duke u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ashtu si në fushën e dijes, 30-vjeçarja është në dialog të vazhdueshëm me suksesin. Duket si një marrëdhënie komplekse, por Drilona është nga ato vajza që i japin drejtim edhe labirinteve, e jo më një gare ku duhen vendosur vetëm muskujt dhe pasioni në punë.
Plot 50 mijë njerëz u turrën në rrugët e New York-ut, mes tyre qindra shqiptarë. Anjëri prej tyre nuk kishte synim vendin e parë. Të gjithë kishin një qëllim: Përfundimin e 42 mijë metrave. Anët e rrugëve "gëlonin" nga njerëzit e shumtë që kishin zbarkuar në trotuare për të mbështetur heronjtë e tyre. Amerika, një vend ku të gjithë janë të barabartë, të tillë i shndërroi edhe shqiptarët tanë.
Kishte nga ata që kishin nisur përgatitjet prej kohësh, të tjerë kishin "firmosur" pjesëmarrjen për të provuar limitet e tyre, ndërsa Drilona e ka kthyer vrapimin në përditshmërinë e saj. Nëse në Shqipëri ishte një vajzë që qëndronte gjithë ditën para librave duke studiuar, Amerika i mësoi se duhej të bashkonte të gjitha aftësitë e saj, për ta shndërruar në atë që është sot: Njeri kurajoz dhe me një vizion, ku shihet vetëm skaji i nisjes.
Njësoj si Maratonomaku që rendte drejt Lirisë, ashtu edhe bukuroshja 30-vjeçare së bashku me Njomza Dubovcin, Lorena Muhaj, Jonela Molla, Irma Shytin, Mimoza Kusari Lilajn, Mërgim Ukajn, Avni Karakushin, Eneid Nikollën po vrapojnë drejt arritjes së objektivave të tyre.
Për Drilonën dhe të tjerët s'ka pasur rëndësi vetëm pjesëmarrja, por edhe medaljet. Ka qenë garuese në 25 Maratona, pesë prej të cilave i ka përfunduar me sukses duke u ngjitur në podium. E fundit ishte sprovë e vërtetë duke mos u dorëzuar në asnjë moment me gjithë metrat e shumtë që ishin brenda saj. Nga Greqia e Lashtë, Maratonomaku i Lirisë është zhvendosur në Amerikën e largët. E mrekullueshme... Shqiponjat nuk kanë pasur kurrë kufinj, kanë fluturuar lart dhe s'e kanë harruar kurrë folenë! /Retin TOKA/
