
Është një nga emrat më të njohur të kampionatit shqiptar. Edhe pse ka shkëlqyer, nuk ka mundur të spikasë ashtu sikur vallëzonte me ekipet e kryeqytetit. Sezonin e ardhshëm, kampionati shqiptar do të jetë "spektator" i 12 derbeve mes Tiranës, Partizanit dhe Dinamos. "Nëndetësja Blu" është pranë rikthimit në elitë teksa i duhet 1 pikë për të siguruar matematikisht ngjitjen. E kush tjetër më mirë se Elis Bakaj i njeh Blutë e kryeqytetit? Sulmuesi tashmë në moshën 33 vjeçare luan prej shumë vitesh larg Shqipërisë. "Mes dashurisë dhe urrejtjes", kështu mund të konsiderohet në Tiranë pikërisht shtatshkurtri mistrec në fushë, por djalë i mrekullueshëm jashtë saj.
E nisi karrierën me Partizanin, skuadër me të cilën u promovua dhe u ngjit shumë lart. Pikërisht me tifozët e kuq pati përplasje pas largimit nga ky ekip. Partizani ra nga kategoria dhe atë sezon u largua edhe Bakaj, që asokohe cilësohej si e ardhmja e kampionatit shqiptar. Kaloi te skuadra e Dinamos, ekip me të cilin shkëlqeu dhe dha një kontribut të madh për arritjen e titullit kampion. Në sezonin 2009-2010, Dinamo fitoi trofeun e 18-të kampion, ku shkëlqeu shtatshkurtri i rritur në kryeqytet. Arriti të realizonte plot 16 gola. E kjo performancë ishte trampolinë për të duke u transferuar te Dinamo e Bukureshtit. Luajti për disa vite jashtë vendit dhe më vonë u kthye sërish në Shqipëri. Këtë herë zgjodhi të vishte fanelën e një tjetër skuadre, atë të Tiranës.
Pikërisht këtu nisi dhe përplasja e tij me tifozët e Partizanit, të cilët në çdo derbi thirrnin në kor emrin e tij. Në fushë, shtatshkurtri ishte mjaft impulsiv dhe në një ndeshje me të kuqtë, ai arriti t'i shënonte. Aq mjaftoi dhe iu drejtua ultrasve të kuq duke i ofenduar. Prej asaj kohe që bëhet fjalë për sezonin 2015-2016, Bakaj është i padëshiruar te Partizani. Ka pasur shpesh aludime për një rikthim të tij në kampin e kuq, mirëpo këto zëra gjithmonë janë shuar nga tifozët që nuk e pranojnë në ekipin e tyre, pavarësisht cilësive të padiskutueshme të tij.
Sezonin e ardhshëm, Dinamo mund të luajë në elitë. Vitet mbi supet e Bakajt rëndojnë dhe hapur e ka thënë që do të dëshironte të mbyllte karrierën në Shqipëri. Ndoshta është shpejt dhe shtatshkurtri s'e ka menduar ende një gjë të tillë. Padyshim që një rikthim në vendin tonë, do të shtonte cilësinë në futbollin shqiptar. Dinamo apo Tirana, cila fanelë do t'i shkonte? Kjo mbetet për t'u parë. E sigurtë është që te Partizani dera është mbyllur prej vitesh. /Newsport.al/