
Sokol Haxhia në rolin e menaxherit të futbollit ka folur në panelin e VizionPlus për shortin e Kombëtares. Ai ka kujtuar kualifikimin në Euro 2016 falë fitores ndaj një kombëtareje ‘big’ si Portugalia. Për analogji, Shqipëria sipas Sokolit duhet të fitojë përsëri me Anglinë ose të paktën mos të humbasë në 2 sfida për të pretenduar lart.
Çudia më e madhe ka qenë deklarata për Letoninë, së cilës Haxhia i trembet më shumë se cilido skuadre në grup.
“Ne me Serbinë duhet të marrim 4 pikë në 2 ndeshje dhe është gjëja më e thjeshtë në botë.
E vetmja gjë duhet të kemi kujdes me Anglinë. Ne me skuadrat e mëdha dimë të luajmë futboll, kemi vështirësi me ato ekipe të nivelit tonë.
Unë zura një shembull siç është Portugalia. E mundëm një të madhe dhe shkuam në Europian. Nëse ëndërron të shkosh në një botëror, të paktën 1 deri në 3 pikë Anglisë duhet t’ia marrësh.
Letonia është një skuadër që ka një trajner italian si Niccolato. Këta lloj trajnerësh të bllokojnë të gjitha burimet e lojës. Ka vite aty, ka drejtuar U-18, U-19 e me radhë. E vetmja ndeshje që duhet të kemi frikë për mendimin tim është ajo ndaj Letonisë”, u shpreh Haxhia.