
Juventusi ka barazuar mbrëmjen e djeshme në transfertën përballë Genoas, në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të të kampionatit italian. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Stadio Luigi Ferraris” përfundoi me rezultatin 1-1.
Pas kësaj sfide në një konferencë para mediave ka folur trajneri i “Zonjës së Vjetër”. Massimiliano Allegri shprehet i kënaqur me ndeshjen që ekipin i tij zhvilloi, por thekson se duhet të jenë më të saktë kur vjen puna tek finalizimi. Megjithatë, pikën ndaj Genoas, Allegri e quan mjaft të rëndësishme.
“Skuadra zhvilloi një performancë të mirë, por për të qëndruar në krye të renditjes duhet të jesh më i saktë në rastet që krijon. Kur të krijohet mundësia për të ‘vrarë’ kundërshtarin, duhet të bësh.
Sepse më pas të rastis të kesh një rast kundër dhe të pësosh gol. Në fund duhet të ishim më të qetë, më të kthjellët, gjithashtu duhet të bënim më pak gabime teknike.
Gjithsesi është një pikë e rëndësishme. Le të vazhdojmë me serinë pozitive të rezultateve dhe të përqendrohemi te ndeshja me Frosinonen. Duhet të përgatitemi sa më mirë”, është shprehur trajneri i Juventusit.